Rreth 80 mijë kilogramë produkte me origjinë shtazore (mish dhe produkte mishi) janë konfiskuar dhe asgjësuar prej fillimit të këtij viti nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë se Kosovës (AUV).
Por, kjo shifër llogaritet të jetë shumë më e lartë, pasi që në komunat e Kosovës kompetencën për kontrollin, konfiskimin dhe asgjësimin e produkteve e kanë inspektorët komunalë, të cilët u raportojnë vetëm organeve komunale dhe jo organeve qendrore apo AUV-it.
Në Kosovë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë është autoriteti më i lartë për ushqim dhe veterinari, i cili është edhe përgjegjës që të mbrojë jetën dhe shëndetin e qytetarëve, duke siguruar nivel të lartë të sigurisë së ushqimit.
Zëdhënësi i kësaj agjencie, Lamir Thaçi tha për Radion Evropa e Lirë, se inspektorati veterinar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë nga fillimi i këtij viti deri më tani ka asgjësuar rreth 80 mijë kilogramë mish dhe produkte mishi.
“Kjo sasi përfshin vetëm asgjësimet nga inspektorët e AUV. Sasinë e asgjësuar nga ana e inspektorëve veterinarë, në kuadër të komunave nuk e posedojmë. Ata janë të organizuar në kuadër të pushtetit lokal. Për punën e tyre ata u përgjigjen organeve udhëheqëse lokale dhe veprojmë si dy pushtete të ndara bazuar në Kushtetutën dhe ligjet në fuqi”, tha Thaçi.