Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani është takuar sot me drejtorët për shëndetësi dhe mirëqenie sociale/QKMF-ve të gjashtë komunave të Kosovës (Prishtinën, Prizrenin, Dragashin, Malishevën, Suharekën dhe Rahovecin), të cilat janë pjesë e pilotimit të SISh-it në përdorimin e sistemit të ri, respektivisht në Pilot-projektin në kuadër të skemës së Pagesës Bazuar në Kapitacion sipas Performancës PPKP, e cila është pjesë e komponentës së dytë të Projektit të Shëndetësisë në Kosovë e mbështetur nga Banka Botërore .
Ministri Rrahmani tha se përzgjedhja e komunave në fjalë është më shumë përgjegjësi se sa privilegj për to, andaj ju bëri thirrje që të jenë kooperativë në pjesën e tyre të përgjegjësisë në implementimin e marrëveshjes mes MSH-së dhe komunave tuaja.
Drejtorët janë njoftuar për arritjen e marrëveshjes mes MSH- së dhe Ministrisë së Financave që ndërlidhet me PPKP, me planin e veprimit të zbatimit të pilot-projektit si dhe për ndarjen e buxhetit prej 780,000 eurove nga Qeveria e Kosovës, për skemën e PPKP-së në kuadër të buxhetit të MSh-së për vitin 2017.
Në kuadër të saj, javën e ardhshme, MSH me kryetarët e këtyre gjashtë komunave do të nënshkruajë Marrëveshje Bashkëpunimi.
Pra, PPKP në gjashtë komunat pilot do të bëhet duke u bazuar në vizitat për kokë banori që do të bëhen në qendrat familjare të këtyre komunave, e të cilat vizita do të evidentohen në Sistemin e Informimit Shëndetësor.
Mjetet e PPKP-së, komunat do të mund t’i shfrytëzojnë për investime kapitale dhe për mallra e shërbime.