Rreziku në disa zona të Decanit, Ramosaj u bën thirrje qytetarëve që të bëjnë kujdes

Prishtinë | 06 Jan 2026 | 14:41 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka thënë se si shkak i reshjeve të shiut është krijuar situatë e cila paraqet rrezik në disa zona, por që  aty tashmë janë ekipet emergjente të cilat thotë të kenë qëndruar gjatë gjithë kohës.

“Për shkak të reshjeve të vazhdueshme të shiut është krijuar një situatë e cila paraqet rrezik në disa zona, mirëpo ekipet e emergjencës së Komunës së Deçanit kanë qenë pandërprerë në terren, veçanërisht në Carrabreg të Ulët, Prilep, Baballoq, Ratishë të Ulët, Dubovik dhe në qytet. Gjendja aktuale nuk është shqetësuese, por mbetet nën monitorim të vazhdueshëm. Kompania “Lika Trade”, e kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, ka intervenuar në pikat problematike, ndërsa NPL “Higjiena”, Njësia e Zjarrfikësve dhe kompania “Hidrodrini” janë në gatishmëri për çdo situatë të mundshme”, ka shkruar Ramosaj.

Ai u ka bërë thirrje qyetetarëve që të bëjnë kujdes pasi që pritet të ketë ende reshje shiut e të cilat mund ta vështirësojnë gjendjen.

“Sipas parashikimeve meteorologjike, pritet të ketë reshje të tjera shiu, të cilat mund ta vështirësojnë gjendjen, veçanërisht në zonat e ndjeshme ndaj vërshimeve dhe rrëshqitjeve të dheut. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjen në zonat e rrezikuara dhe të raportojnë çdo problem apo rrezik të mundshëm tek autoritetet komunale. Komuna e Deçanit mbetet në shërbim dhe pranë qytetarëve në çdo moment”, përfundon shkrimin Ramosaj.

Të ngjashme