Kosova nuk është përballur me fatkeqësi të mëdha natyrore, edhe pse raportet ndërkombëtare e vendore flasin për rrezik të madh për shkak të faktorëve të jashtëm. Rreziku më i madh, sipas studimeve, mund tu vijë kosovarëve për shkak të shkatërrimit të natyrës.
Prerja e pyjeve në mënyrë të pakontrolluar, gërryerja e shtretërve të lumenjve, përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës rrezikojnë çdo ditë Kosovën. Rreziku, sipas raporteve, bëhet edhe më i madh kur në tokat e paqëndrueshme ndërtohen ndërtesa kolektive. Në rast të fatkeqësisë Kosova nuk ka kapacitete për të reaguar.
Një zjarrfikës kujdeset për 2 300 banorë. I vogël është edhe numri i automjeteve të tyre, 1 për 10 mijë banorë. Kosova nuk ka asnjë helikopter për ta përdorur në rast të ndonjë fatkeqësie natyrore, edhe pse në disa terrene arritja në cak e automjeteve poseduese në kohë reale është e vështirë e për disa vende duket “mision i pamundur” shkruan Koha Ditore.