Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) thotë se me shqetësim të thellë ka pranuar vendimin e sotëm të Gjykatës Themelore të Gjakovës për uljen e dënimit përr Pjetër Ndrecajn, për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij, në gusht të vitit 2018.
Sipas tyre, dënimi prej 24 vite e gjysmë burg, i shqiptuar pas rigjykimit ndaj Ndrecajt është në kundërshtim të plotë, përveç me rrethanat e kryerjes së veprës, po ashtu edhe me rregullat e përgjithshme me të cilat parashihet zbutja apo ashpërsimi i dënimit.
“Vepra penale ‘Vrasje e rëndë’ në rastin Ndrecaj bart në vete dy kualifikime ligjore; vrasjen e bashkëshortes së tij, Valbona Ndrecaj si dhe vrasjen e fëmijës (vajzës 9 vjeçare). Për këtë vepër penale parashihet dënim me burgim të përjetshëm, në rastin konkret rrethanat e kryerjes së kësaj vepre, siç janë; mënyra e kryerjes së vrasjeve dhe fakti që viktimat kanë qenë të pambrojtura është dashur të ndikojnë në ashpërsimin e dënimit duke ju shqiptuar dënim me burg të përjetshëm të pandehurit Ndrecaj”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas tyre, qëllimi i sanksionit është rehabilitimi i kryerësit të veprës si dhe krijimi i vetëdijes publike që personat që kryejnë vepra të tilla ndëshkohen.
“Ulja e dënimit ndaj Ndrecajt, jo vetëm që nuk do ta rehabilitojë atë, por do të shërbejë si motiv për të tjerët që të kryejnë vepra të ngjashme. Besojmë fuqishëm që Prokuroria do të ushtrojë ankesë dhe se Gjykata e Apelit do ta ndryshojë këtë aktgjykim për t’i shqiptuar dënim maksimal të pandehurit”, thuhet në njoftim
Lidhur me rastin kanë reaguar edhe ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.
Përmes Facebookut, kanë thënë se vendimi i Gjykatës është skandaloz.