Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar në lidhje me vrasjen e vajzës 18 vjeçare në Ferizaj, duke kërkuar kështu dënimin maksimal të fajtorëve.
Nga ky rrjet thanë se ky rast tregon mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave.
“Ky rast, na shpërfaq edhe një herë mangësitë institucionale në trajtimin me seriozitet të vrasjeve ndaj grave dhe të femicidit. Vrasja e kësaj vajze assesi nuk është rast i izoluar e as ndodhi rastësore – kjo vajzë vdiq në një vend në të cilin çdo vrasje e grave shoqërohet me heshtje institucionale, me zvarritje të hetimeve, dhe me dënime të ulëta për vrasësit e grave.Si për secilën vrasje të grave nga burrat këtu kemi një zinxhir fajtorësh brenda institucioneve.Si ka mundësi që në një institucion shëndetësor të lihet trupi i pa jetë i një gruaje, pa kurfar llogaridhënie?”, thuhet në reagimin e tyre.
Tutje në këtë reagim thuhet se spitalet e kanë obligim që në të gjitha rastet ku ka shenja të dhunës të lajmërojnë institucionet e sigurisë, e të sigurohen që ushtruesit e dhunës të mos ikin, përcjell Klankosova.tv.
Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon që hetimi i vrasjes së 18-vjeçares të jetë prioritet për organet e hetuesisë, si dhe fajtorët të marrin dënimin maksimal
“RrGK do ta përcjell rastin nga afër dhe do të kërkojë vënien e drejtësisë në vend.RrGK nuk do të ndalet derisa vrasjet e vajzave dhe grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private”, thuhet në reagim.
Tutje, nga ky rrjet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në gjetjen e të dyshuarit të dytë.