Policia e rajonit të Gjilanit ka bërë me dije se dje ka ndodhur një rrahje mes pesë personave në Gjilan, nga ku tre prej tyre kanë pësuar lëndime trupore.
Ishte emergjenca ajo që kishte njoftuar Policinë për rastin.
Siç njofton policia, bëhet fjalë për një mosmarrëveshje mes dy familjeve.
“Me 30 janar 2018 rreth orës 00:20 nga Emergjenca, Policia e Kosovës në Gjilan është njoftuar se aty janë sjellë disa persona te lënduar nga një rrahje që kishte ndodhur në lagjen e Jabuqëve afër Super Market “Besniku”. Njësiti policor ka dalë në atë lokacion dhe nga hetimet e para mësohet se rrahja kishte ndodhur në mes të pesë personave pjesëtarëve të dy familjeve për shkak të një mosmarrëveshje që kishin mes vete, ku si pasojë lëndime kishin pësuar tre persona.
Për tretman mjekësor në repartin e Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, është ndalur njëri nga ta kurse dy të tjerët pas tretmanit janë liruar. Në vendngjarje nga të dyshuarit janë konfiskuar një thikë dhe një mjet i fortë shkop druri, që dyshohet se janë përdorur në rrahje.
Për rastin janë njoftuar hetimet rajonale, të cilët kanë dalë në vendngjarje dhe kanë njoftuar prokurorin e Krimeve të Rënda. Prokurori i shtetit ka urdhëruar që ndaj katër personave të dyshimtë të caktohet masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet vazhdojnë nga Njësia e Hetimeve Rajonale”, ka njoftuar Policia.