Arsenali e ka anuluar rinisjen e stërvitjeve të martën, duke u thënë futbollistëve të vet të vazhdojnë të qëndrojnë brenda në shtëpitë e vet, për shkak të pandemisë Coronavirus.
Ekipi i parë i Arsenalit pritej t’i riniste stërvitjet këtë të marte, pasi e ka kompletuar vetizolimin 14 ditor, pasi trajneri Mikel Arteta ishte infektuar me Covid-19.
Por, për shkak se Britania e Madhe përballet me një ngujim të plotë në përpjekje për ta ndalë përhapjen e virusit, Arsenali njofton se do të ishte e pavend dhe e papërgjegjshme t’iu kërkojë lojtarëve të rikthehen në stërvitje në këtë kohë.
Javën e kaluar, klubi londinez njoftoi se trajneri Arteta po ndihet shumë më mirë dhe se është rikthyer për t’i bërë planet për pjesën e mbetur të sezonit dhe se është duke biseduar me lojtarët e vet.
Ndërkohë, sezoni në Premierligë nuk do të rinisë të paktën deri në maj.
“Ekipi ynë i parë ishte paraparë të rikthehej në stërvitje të martën, pas kompletimit të izolimit 14 ditor, për shkak se infektimit të Mikel Artetas me virus. Por si pasojë e gjendjes së tanishme, e kemi të qartë se do të ishte e pavend dhe e papërgjegjshme t’iu kërkonim lojtarëve për t’u kthyer në këtë kohë. Prandaj, ekipi ynë i parë, ekipi i vashave dhe lojtarët e akademisë qëndrojnë në shtëpitë e veta. Rrini në shtëpi dhe shpëtoni jetë”, ka thënë klubi londinez. /Gazeta Express/