Rritjet e çmimeve në tregje dhe markete kanë prekur produktet bazë, si vezët, mishin dhe pemët. E, Autoriteti i Konkurrencës, që për mandat e ka mbikëqyrjen e tregut, nuk ka mundësi që të ndërmarrë ndëshkime për manipulimet në çmime, pasi që komisioni i këtij autoriteti funksionon me kuorum të reduktuar.
Shqetësime për ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë kanë shprehur qytetarët që të mërkurën e frekuentuan tregun e gjelbër në Prishtinë.
Sipas tyre, brenda vetëm pak javësh në disa artikuj kanë vërejtur rritje çmimesh deri në mbi 40 për qind.
E të përballur me fluks të vazhdueshëm shtrenjtimi, ata shprehën vërejtje se janë të pambrojtur nga autoritetet kompetente karshi atyre që i kualifikuan si manipulime me çmime.
“Një tabak vezë ka qenë 3 euro e gjysmë, tash 5 euro, ku do ta çosh. Një kile mish ka qenë 10 euro, është bërë 14 euro, pare janë ato”, tha një qytetar.
Qytetari Hasan Hasani, deklaroi se të gjitha çmimet po rriten.
“Edhe në shitore, në vetëshërbime të gjitha po rriten. Shkon nesër rriten, e merr me çmim tjetër, por s’ke çfarë t’i bësh ne s’kemi njerëz që ta udhëheqin këtë program”, theksoi ai.
Ankesat e qytetarëve janë adresuar në kohën kur Autoriteti i Konkurrencës, që është kompetent për mbikëqyrjen e tregut, që nga fillimi i vitit nuk e ka marrë asnjë vendim ndëshkues lidhur me manipulimin me çmime.
Inspektori i këtij Autoriteti, Egzon Berisha, thotë se vendimet për gjobitje dhe për nisjen e hetimeve për çrregullim të konkurrencës merren nga Komisioni i Autoritetit, i cili duhet të ketë pesë anëtarë, porse aktualisht i ka vetëm tre, në atë që, sipas tij, e vështirëson vendimmarrjen.
Berisha thotë se aktualisht po monitorohen çmimet e 21 produkteve bazë të shportës së konsumatorit dhe se bazuar në këtë del se ka tregues që rrjetet e supermarketeve mund të kenë manipuluar me çmime.
“Të dhënat përfundimtare ende nuk i kemi përpunuar mirëpo në qytete të caktuar vërehet një tendencë, ku rrjeti i marketeve apo marketet e asaj zone kanë mundur të bëjnë një kufizim të tillë. Për shembull i caktojnë marzhat e fitimit, i caktojnë çmimet e shitjes, i caktojnë furnizimet dhe e krijojnë në pozitë dominuese në atë territor që e pamundësojnë edhe konkurrencën e lirë”, tha ai.
Edhe nga monitorimi në qershor, Berisha tha se janë vërejtur ndryshime të koordinuara çmimesh të bukës nëpër furra. Por ai shtoi se nga rritja e çmimeve nuk është prekur vetëm ky produkt.
“Përveç bukës, e cila ka pasur një rritje në të gjithë territorin e Kosovës, rritje të tillë kanë pasur edhe pemët e perimet, sidomos në periudhën e fundit, po ashtu edhe gjërat e shportës bazike, siç janë vaji ushqimor, kanë shënuar rritje të konsiderueshme në raport me vitin e kaluar”, deklaroi Berisha.
Ai pranoi se mungesa e kuorumit të plotë në Komisionin e Autoritetit po e vështirëson ndëshkimin e shpejtë të manipulimeve. Ky komision përbëhet nga pesë anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi me propozim të Qeverisë. Kosova nuk ka Kuvend funksional që nga janari 2025. Në mungesë të vendimmarrjes së plotë të Autoritetit, aktualisht nuk ekziston asnjë mekanizëm tjetër efektiv që i mbron konsumatorët nga manipulimi me çmime. /koha