Përkundër rritjes së ndjeshme të rasteve me COVID-19, numri i kosovarëve që po e marrin dozën përforcuese të vaksinës është tejet i ulët.
Bazuar në statistikat e Ministrisë së Shëndetësisë, nga 9 dhjetori 2021, kur ka nisur vaksinimi me dozën përforucese, e deri më tani vetëm 2104 qytetarë janë vaksinuar me këtë dozë, apo mesatarisht 77 qytetarë në ditë.
Ndërsa prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.679.639 doza të vaksinës.
Nga Ministria e Shëndetësisë, kanë thënë se doza e tretë u jepet personave, të cilët i kanë marrë dy dozat e vaksinës kundër COVID-19, por te të cilët nuk është zhvilluar imuniteti i duhur, si pasojë e imunitetit të dobët të tyre, apo sëmundjeve shoqëruese, me rekomandim të mjekut ordinues. Doza e tretë jepet jo më herët se 8 javë dhe pa i bërë 6 muaj nga marrja e dozës së dytë.
Dozën përforcuese dhe dozën e tretë do të mund ta marrin të gjithë personat mbi 18 vjeç. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, qytetarët do të njoftohen për datën e vaksinimit përmes mesazheve telefonike, e-mailit dhe njoftimeve publike.