Në gjashtë muajt e parë të viti 2017 kanë ndodhur gjithsej 8073 aksidente. Në të njëjtën periudhë një vit më parë kanë ndodhur 8285 aksidente.
Ndërsa, me fatalitet gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 50 aksidente ku si pasojë kanë ndërruar jetën 53 persona, nëse e krahasojmë me vitin e kaluar është një rritje prej 6%.
Daut Hoxha, nga zyra e informimit të Policisë së Kosovës ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online se numri i madh i automjeteve dhe njerëzve nëpër rrugë ka bërë që të rritet numri i aksidenteve në trafik.
“Kemi një rritje të fluksit edhe të automjeteve edhe një koncentrim apo përqendrim më të madh të njerëzve nëpër rrugët dhe ambientet e caktuara në vendin tonë. Policia e Kosovës ka vërejtur se si shkak i këtyre kemi edhe një rritje edhe të aksidenteve edhe në trafikun rrugor. Mendoj që ne si Polici e Kosovës jem munduar në vazhdimësi të japim kontributin tonë në aspektin e sensibilizimit apo vetëdijesimit të ngasësve në veçanti dhe pjesëmarrësve tjerë në trafik që gjatë kësaj periudhe kur kemi kaq fluks të madh, kur kemi një zhvillim të dendur të këtyre aktiviteteve të jenë më vigjilent të jenë më të kujdesshëm gjatë drejtimit të automjeteve në mënyrë që këto raste të jenë sa më të vogla të minimizohen edhe rasteve e humbjes së jetës që më të vërtetë janë shqetësuese”, ka thënë Hoxha.
Sipas tij Policia e Kosovës ka realizuar numër të madh të fushatave vetëdijesese për qytetarët në mënyrë se si t’i shmangen aksidenteve.
“Referuar periudhës së njëjtë kohore me vitin e kaluar në këta gjashtë muajt këtij viti kemi një rritje të rasteve të aksidenteve kryesisht të atyre me fatalitet dhe Policia e Kosovës në vazhdimësi ka bërë fushata vetëdijesuese edhe përmes broshurave të ndryshëm për ti njoftuar qytetarët”, theksoi Hoxha.
Në periudhën janar-qershor në 2828 aksidente janë lënduar 5746 persona, 5195 aksidente kanë qenë me dëme materiale.