Inspektorati Policor i Kosovës këtë vit ka pranuar më shumë ankesa nga qytetarët për sjellje jo profesionale të zyrtarëve policor, raporton Ekonomia Online.
Gjatë vitit 2021
që nga muaji janar e deri tani janë arrestuar
28 punonjës policorë dhe 65 sish
janë suspenduar, ndërsa janë pranuar mbi 1 mijë
ankesa nga qytetarët ndaj zyrtarëve të policisë.
Kështu ka bërë të ditur në një prononcim për Ekonomia Online, kryeshefi i Inspektoratit
Policor të Kosovës (IPK), Kushtrim Hoda.
“Që nga janari deri më tani kemi pranuar mbi 1100 ankesa ndaj punë së policisë të cilat janë trajtuar, e një pjesë e tyre janë kualifikuar si shkelje apo që kanë dyshime për vepër penale dhe një pjesë tjetër është kthyer në polici për trajtim disiplinor apo administrativ. Ka një rritje të numrit të ankesave dhe gjithashtu edhe gjatë verës për shkak të fluksit edhe të qytetarëve”.
“Deri më tani kemi suspenduar 65 zyrtarë, kemi rekomanduar suspendimin për 67 zyrtarëve policorë për shkak të hetimeve penale që i kemi zhvilluar si institucion. Është një numër relativisht i lartë krahasuar me komplet vitin e kaluar e që është arrirë vetëm në këtë gjashtë mujor. Janë arrestuar 28 zyrtarë policorë për vepra të ndryshme penale, janë transferuar nga vendet e tyre gjashtë punonjës të policisë edhe ata për interes të hetimeve që janë duke u zhvilluar, po ashtu janë zhvilluar shtatë inspektime në fusha të ndryshme të policisë, ku katër prej tyre kanë qenë të jashtëzakonshme”, tha Hoda.
Me ardhjen e mërgimtarëve qarkullimi dhe lëvizja e qytetarëve është ngarkuar mjaftë shumë, Hoda thotë se edhe ankesat e tyre ndaj policëve nuk kanë munguar, e që janë munduar t’i trajtojnë sa më shpejtë.
“Rrugët e Kosovës me ardhjen e mërgimtarëve janë më të ngarkuara dhe ka qarkullim më të madh të njerëzve, ka edhe aksidente dhe kontakte më shumë me policinë dhe sigurisht që edhe mërgimtarët kanë ankesa ndaj policisë apo edhe gjatë lëvizjeve, ka ankesa që pranohen edhe nga ta dhe mundohemi që ti trajtojmë sa më shpejtë”, deklaroi ai.
Hoda shtoi se vazhdimisht janë duke pranuar dhe shqyrtuar ankesat e qytetareve, dhe që rritja e tyre është mjaftë e madhe.
“Inspektorati në vazhdimësi i pranon dhe trajton ankesat e qytetarëve ndaj punës së policisë, qysh nga themelimi dhe edhe këtë vit kemi vazhduar me një ritëm pak më të shtuar të ankesave, dhe dy vitet e fundit ka një rritje të numrit të ankesave ndaj policisë e kjo mund të jetë edhe si vetëdijesim i qytetarëve për të paraqitur shqetësimet e tyre, por edhe një punë më e madhe e hetuesve dhe inspektorëve tanë për të trajtuar gjitha ankesat e tyre”, përfundoi Hoda për EO.