Ministria e Financave, ka njoftuar se sipas Raportit të gjashtëmujorit i parë i vitit 2016, të hyrat kanë shënuar rritje prej 17.1%.
Po ashtu ky gjashtëmujor është karakterizuar me një ritëm të përshpejtuar të rritjes së aktivitetit ekonomik krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, ku rol të veçantë kanë luajtur masat e ndërmarra në kuadër të reformave të të bërit biznes, rritja e besueshmërisë së investitorëve, si dhe përmirësimi i vazhdueshëm dhe gradual i ambientit të jashtëm ekonomik në përgjithësi.
Përveç ndikimit të këtyre politikave, në trendin pozitiv të të hyrave kanë ndikuar edhe masat e ndërmarra nga agjencitë mbledhëse të të hyrave për ngushtimin e hendekut tatimor, rritjen e efikasitetit në mbledhjen e të hyrave si dhe në luftimin e ekonomisë joformale.
Të hyrat kanë shënuar rritje prej 17.1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje ka qenë kryesisht e shtyrë nga të hyrat e rregullta tatimore, ndërkaq të hyrat jo-tatimore kanë pasur nën-realizim e në veçanti të hyrave nga devidenda.
Ndërkaq, pagesat kanë shënuar rritje prej 10.0%, ku kontributin më të madh në këtë rritje gjatë kësaj periudhe e ka dhënë rritja e shpenzimeve kapitale. Në këtë rritje ka ndikuar gjithashtu edhe rritja e shpenzimeve në subvencione dhe transfere dhe shpenzimeve për paga dhe mëditje.
“Performanca e të hyrave tatimore gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore ka qenë e kënaqshme dhe kjo performancë pozitive nuk duhet parë si mundësi për iniciativa të reja në shpenzime pasi ka mjaft obligime nga politikat ekzistuese dhe investimet kapitale të cilat do të vazhdojnë edhe në dy vitet e ardhshme”, është thënë në komunikatën e Ministrisë së Financave.