Presidenti i Kolumbisë Juan Manuel Santos njoftoi se gjatë përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut në jugperëndim të vendit kanë humbur jetën 254 persona, raporton Anadolu Agency (AA).
Santos përmes rrjeteve sociale bëri të ditur se për shkak të rrëshqitjes së dheut të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut shumë vendbanime janë zhdukur në qytetin Mocoa, në rajonin kufitar Putumayo, ndërsa nën rrënojat deri tani janë nxjerrë 254 kufoma.
Në mesin e viktimave janë 44 fëmijë, ndërsa më shumë se 1.0000 ushtarë dhe policë marrin pjesë në aksionet e shpëtimit.
Presidenti i Kolumbisë porositi se aksionet e shpëtimit do të vazhdojnë dhe premtoi mjete për rindërtimin e qytetit.
Kryqi i Kuq i Kolumbisë në mënyra të ndryshme ndihmon familjet që janë prekur si pasojë e fatkeqësisë natyrore.
Reshjet e shiut dhe rrëshqitjet e dheut kanë krijuar vështirësi për ekipet e shpëtimit, ndërsa në këto zona nuk ka as energji elektrike.
Reshjet shkaktuan edhe daljen nga shtrati të lumit Mulato dhe Sancoyaco në qytetin Mocoa, për shkak të cilës të shtunën pati rrëshqitje të dheut.