Në Agjencinë për Informim dhe Privatësi është rritur numri i ankesave nga gazetarët dhe shoqëria civile për mosdhënien e përgjigjeve nga ana e institucioneve publike. Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online, komisionerja e AIP-it, Krenare Sogojeva-Dermaku.
Krahas inspektimeve që ka kryer ky institucion, AIP ka shqiptuar edhe tri gjoba për shkelje të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Njëra për Komunën e Gjakovës, ndërsa tjetra KEDS-in dhe KRU “Prishtinën”.
Ajo ka thënë se gjobat për ndërmarrjet publike janë shqiptuar për mosndëmarrjen e masave të nevojshme të sigurisë në përpunimin e të dhënave personale gjatë shpërndarjes së faturave për qytetarët, ndërsa për Komunën e Gjakovës gjoba për publikim të diagnozave të qytetarëve.
“Për këtë vit, referuar statistikave deri në fund të muajit gusht të këtij viti, ne kemi pranuar 104 ankesa nga qytetarët. Kemi bërë 228 inspektime dhe janë lëshuar 234 vendime, kur flasim për numrin e inspektimeve dhe vendimeve, ta kemi parasysh edhe ankesave ka inspektime që janë në proces dhe nuk kemi vendime përfundimtare. Ka inspektime që përfundojnë me një raport përmbyllës pa vendime, ndërsa tek vendimet ankesa që janë në shqyrtim kemi edhe 15 ankesa në shqyrtim dhe kjo e fundit që asnjëherë nuk kisha dashur të përmend Agjencia ka shqiptuar edhe tri gjoba për shkelje të të dhënave. Një ndaj Komunës së Gjakovës për publikim të listave të qytetarëve që kanë përfshirë të dhëna të diagnozave të qytetarëve, përfshirë diagnoza të fëmijëve, si dhe dy gjoba tashmë të shumëpërfolura, njëra ndaj KEDS-it dhe tjetra ndaj KRU ‘Prishtinës’ për lejimin e personave të paautorizuar në të dhëna të qytetarëve”, ka thënë ajo.
Sogojeva-Dermaku ka thënë se kohëve të fundit është rritur edhe numri i ankesave për shpenzimet e parasë publike, pasi institucionet qendrore e lokale hezitojnë të japin informata për shpenzimet e parasë publike.
“Qasja në dokumentet publike, me keqardhje mund të them që sado që ne në bazë të ankesave nuk mund të themi se një institucion është më transparentë apo jo, por ajo çka vërehet është që është rritur numri i ankesave për shpenzimin e parasë publike, që do të thotë se institucionet në nivel qendror, lokal apo edhe ndërmarrje publike apo edhe në sistemin e drejtësisë, ka një hezitim në dhënien e informatave për shpenzimet e parasë publike. Në bazë të statistikave deri në fund të gushtit të këtij viti, numri i ankesave është në rritje nëse e krahasojmë vitin 2023 kur i kemi pasur 552 ankesa tani deri në fund të gushtit i kemi 500 ankesa veç për këtë tetë mujor”, ka deklaruar ajo.
Në Agjenci është rritur numri i ankesave nga gazetarët dhe shoqërisë civile për mosdhënien e përgjigjeve nga ana e institucioneve, raporton EO.
“Qytetarët janë duke e kërkuar zgjidhje për mosdhënien e informatave publike. Një tjetër karakteristikë është që sado që mbetet më i lartë numri i qytetarëve që kërkojnë qasje në dokumente publike, është rrit edhe numri i ankesave nga shoqëria civile edhe nga gazetarët dhe është rritur numri i ankesave në mosdhënie e përgjigjeve. Që përpara kemi pasur ankesa në mosdhënien e dokumenteve publike, tashmë kemi një rritje në mosdhënien e përgjigjeve nga ana e institucioneve nga pyetjet që i bëjnë gazetarët”, u shpreh ajo.