Avokati Arianit Koci, ka thënë se nuk do të mund të jetë organizator i një proteste për të kundërshtuar rritjen e çmimit të energjisë elektrike meqë ndër vite ka përfaqësuar klientë të ndryshëm në sektor të ndryshëm, e mund të ekzistoj rreziku i një konflikti potencial interesi.
Për këtë ai thotë se në planin moral dhe politik, përfshirja ime si organizator hap rrugë për sulme personale dhe interpretime të qëllimshme, të cilat në fund nuk më dëmtojnë mua, por vetë kauzën.
Postimi i plot:
Dua të jem i sinqertë me qytetarët që më kanë shkruar dhe më kanë mbështetur këto ditë.
Çështja e shtrenjtimit të energjisë elektrike është serioze dhe prek drejtpërdrejt jetën e mijëra familjeve. Reagimi i madh publik e ka konfirmuar këtë dhe ka treguar se pakënaqësia është reale.
Për shkak të profesionit tim dhe faktit se ndër vite kam përfaqësuar klientë të ndryshëm në sektorë të ndryshëm, kam obligim profesional dhe etik të jem jashtëzakonisht i kujdesshëm në çdo rol publik që marr.
Ligjërisht, mund të mos ekzistojnë elemente të konfliktit të interesit. Megjithatë, ekziston rreziku i një konflikti potencial interesi dhe, në planin moral dhe politik, përfshirja ime si organizator hap rrugë për sulme personale dhe interpretime të qëllimshme, të cilat në fund nuk më dëmtojnë mua, por vetë kauzën.
Për këtë arsye, nuk do të jem organizator i protestës.
Ky vendim nuk e ndryshon qëndrimin tim ndaj kësaj çështjeje dhe as shqetësimin për pasojat që një vendim i padrejtë do të kishte mbi qytetarët. Transparenca, llogaridhënia dhe mbrojtja e interesit publik mbesin parime që i mbroj dhe i kërkoj pa asnjë rezervë.
Të qëndrosh pranë qytetarit dhe njëkohësisht të respektosh standardin më të lartë profesional, për mua, nuk janë role që përjashtojnë njëra-tjetrën.
Reagimi qytetar është legjitim. Kërkesa për sqarime është e drejtë. Presioni publik për vendime të drejta është pjesë normale e funksionimit demokratik.
Unë do të vazhdoj të kontribuoj brenda kornizës ligjore dhe profesionale, pa e cenuar integritetin personal dhe pa i shkaktuar dëm kauzës që i takon qytetarëve.