Seriozisht në temë.
Këtyre ditëve, dola pak në Kosovë për festën e fundvitit. Vizitova të afërm e farefis, dhe kudo që kam shkua, temë qendrore ishte fatura e lartë e rrymës. Në një familje që jeton me ndihmë sociale, më tha që ndihma sociale ishte 150€, ndërsa fatura e rrymës i kishte ardhur 130€.
Imagjinoni si do të mundet të jetojë një familje me të ardhura mujore të tilla. Kjo gjë sa është absurde poaq edhe e panjerëzishme.
Megjithatë, nuk është vetëm problemi i familjeve të varfura që aktualisht kanë rënë nën pragun e varfërisë. Problemi është që kjo qasje e qeverisë ndaj energjisë, do të shkakton dëme strukturore në ekonominë e vendit. Kjo qasje është vrasje me paramendim të ekonomisë familjare në njërën anë, si edhe vrasje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në anën tjetër.
Rritja e çmimit të energjisë dhe diferencimi kaq i thellë i tarifave të rrymës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që ofrojnë produkte vendore në treg, i vë në pozitë ku kostoja e prodhimit do të bëhet më e lartë sesa çmimi i tregut, rrjedhimisht shumë ndërmarrje do të shkojnë drejt stagnimit, ose edhe drejt falimentimit. Në ndërkohë importi nga Serbia ka tejkaluar të gjitha shifrat që i kemi imagjinuar.
Krejt çka shohim sot, është sikur klasa jonë politike janë pajtuar bashkë, pozitë e opozitë, që rininë e Kosovës ta dërgojnë në punë nëpër kanalizimet dhe ‘baushtellat’ e Evropës (rreth 100 mijë të rinj kanë ikur veç në tri vitet e fundit, sipas raportimeve në media), e ata pastaj të dërgojnë euro për të financuar ekonominë e Kosovës, e ku më pas të blejnë produkte serbe në një anë, e në anën tjetër edhe të paguajnë rrymë shtrenjtë, ku përmes GEN-it qindra miliona euro përfundojnë në Serbi.
Kjo klasë politike e papërgjegjshme, pozitë dhe opozitë, po e theksoj pozitë dhe opozitë bashkë, në vend që të gjejnë një konsensus të përbashkët për një nga temat kyçe të zhvillimit ekonomik -ENERGJIA-, ata kanë zgjedhur sharjet mes vete, dhe përçarjen e popullit përmes tifozëve trushpërlarë. Kanë zgjedhur që të na shesin patriotizëm tallava në rrjeta sociale, e në anën tjetër e kanë kthyer Kosovën në një satelit ekonomik të Serbisë.
Të kesh shoqëri civile, të kesh Parlament, të kesh profesorë universitarë dhe intelektualë, e të mos kemi një debat shoqëror për energjinë, në një vend që ka rezervat më të mëdha qymyrit në Evropë, është diçka e pabesueshme, është një marrëzi kombëtare.
Të heshtim kaq tmerrësisht, sikur të ishim dele nëpër livadhe, duke parë që do të mund të ishim një superfuqi për energji në rajon, e të shohim klasën tonë politike duke u shitur sikur një lopë në pazar para mafisë energjetike të Ballkanit, për të vjedhur përmes aparatit të shtetit qindra miliona euro çdo vit, e duke e konsideruar popullin sikur të ishin të gjithë vërtetë analfabetë funksional, është vërtetë për vajtim.
Dëgjova trushpërlarët dhe servilët që u shkojnë zhag politikanëve, duke mbrojtur rritjen e çmimeve të rrymës me argumentin se çmimi i rrymës është rritur kudo nëpër Evropë e botë.
Servilët e zvarranikët e politikës, që paguhen padyshim nga klasa politike e korruptuar për të mashtruar popullin, asnjëherë nuk bëjnë pyetje pse çmimi i naftës në Evropë është 1.5 euro, ndërsa në vendet ku ka naftë është më pak se 10 centë. Nuk duan ta bëjnë këtë pyetje zvarranikët, sepse e kuptojnë që janë trutharë.
Sikur të kishim një klasë politike të përgjegjshme, kur rritet çmimi i rrymës në tregun ndërkombëtar, do të duhej të gëzoheshim të gjithë në Kosovë, e jo të vajtojmë.
Një klasë politike e përgjegjshme, do të kishte ndërtuar edhe një Termocentral modern, ku sot, në vend që të blejmë rrymë një milion euro në ditë nga GEN-i i Serbisë, do të kishim eksportuar rrymë në rajon, duke krijuar të hyra shtesë për mirëqenien tonë të përbashkët.
Fatkeqësisht, kjo klasë politike, tmerrësisht e papërgjegjshme, përveç që e anuluan projektin KOSOVA E RE, nuk ka as sot plan për të ndërtuar një Termocentral të ri me ndonjë kompani të huaj apo vendore. Dmth, qeveria aktuale ka vendosur qëllimisht që Kosova të mbetet satelit ekonomik i Serbisë të paktën edhe për dy dekada të tjera.
Qeveria e Kosovës edhe servilët e saj, dolën me parulla mashtruese këtyre ditëve se gjoja prej tash serbët në Veri do të paguajnë rrymën. Duke e shitur këtë si një arritje patriotike për të mashtruar analfabetët funksional për pikë politike. Nuk ka serb që nuk pajtohet me i pagua disa dhjetëra milionë euro fatura nëse të vjelin përmes GEN-it 150 – 200 milionë tjera në vit.
Le të kthehen çmimet e rrymës qysh kanë qenë para vitit 2021, edhe le të paguajnë serbët e veriut rrymën, atëherë e pranoj që Kosova ka fituar diçka. Edhe publikisht do t’i duartrokisja qeverisë. Përndryshe është veç një mashtrim i radhës, për të balancuar me broçkulla patriotike vjedhjen eklatante të qindra miliona eurove nga qytetarët e Kosovës përmes aparatit të shtetit, e ku ato qindra miliona përfundojnë askund tjetër, veçse në Serbi dhe tek servilët e mafisë energjetike të Ballkanit.
Konkluzion
Nëse në Parlamentin e Kosovës nuk dalin deputetë që t’i bëjnë presion qeverisë, kësaj qeverie apo ndonjë qeverie tjetër që mund të vie pas kësaj, për të ndërtuar një Termocentral të ri, për ta pavarësuar Kosovën me energji, dhe për t’i kthyer çmimet e rrymës nën nivelin e çmimit që ka qenë në vitin 2021, atëherë kemi të bëjmë me një tradhti të pastër kombëtare. Nuk mund të shpjegohet ndryshe qasja e kësaj klase politike që e kthen vendin në satelit ekonomik të Serbisë.
Të jetojmë mbi rezervat më të mëdha të qymyrit në Evropë dhe të kemi çmime kaq të larta të rrymës, jo vetëm që është vjedhje e plaçkitje, por është edhe budallallëk i skajshëm që ta pranojmë si shoqëri çdo shpjegim hipokrit të politikanëve që shiten sikur lopa në pazar para oligarkëve të energjisë së Ballkanit.
Është koha të kemi qytetari të përgjegjshme e të kërkojmë përgjegjësi nga klasa politike. E jo tifozëri huliganësh që shajnë njëri-tjetrin në rrjeta sociale e në debate televizive, pa qenë në gjendje me e kuptua që politikanët po e konsiderojnë popullin si një dele livadhesh.
“Besimi i të pafajshmit, është instrumenti më i fortë i gënjeshtarit” – Stephen King.