Ngritja e pagës minimale e propozuar nga Qeveria Kurti do të kishte ndikim sadopak pozitiv nëse nuk do të kishte pasur ngritje kaq të madhe të çmimeve të konsumit, sidomos të energjisë elektrike, thonë ekspertë të çështjeve ekonomike me të cilët bisedoi Ekonomia Online.
Një trend shqetësues është bërë tashmë ikja e fuqisë punëtore.
Profesori i Ekonomisë, Mustafë Kadriaj, ka thënë se niveli i ultë i pagave dhe mungesa e sigurimit në punë janë faktorë kryesorë që po shtyjnë qytetarët, sidomos të rinjtë, ta braktisin Kosovën.
“Vetë fakti që gatishmëria për t’u larguar nga vendi, ku në çdo ambasadë të akredituar në Kosovë ka jashtëzakonisht aplikacione për viza, këtu shihet disponimi i qytetarit të Kosovës dhe i fuqisë punëtore që të largohet nga vendi. Kjo për faktin që niveli i kompensimit me paga, dinjiteti në punë, po ashtu dhe sigurimi, janë në nivel jashtëzakonisht të keq”, tha Kadrijaj.
Sa i përket paralajmërimeve për rritjen e pagës minimale, ai thekson se kur është në pyetje mirëqenia e qytetarit dhe niveli i rritjes së dinjitetit të punëtorit në Kosovë, duhet të shikohen të gjitha mundësitë.
“Është diçka e mirëpritur dhe e mirëseardhur për secilin të punësuar, por kjo do të kishte efekt sikur mos të kishte pasur ngritje të çmimeve në të gjitha sektorët e jetës, në konsum, në veshmbathje, në derivate dhe energji elektrike”.
Kadrijaj thekson se shtrenjtimet e fundit e kanë rritur krizën dhe varfëruar edhe më portofolin e qytetarit të Kosovës.
Jakup Bellaqa, njohës i çështjeve ekonomike si dhe profesor universitar, thotë për Ekonomia Online se ngritja e pagës minimale sado pak mund ta ulë kërkesën për ikje jashtë vendit.
“Politika sociale duhet që në Kosovë të avancohet, duhet të mbështetet. Nëse miratohet sa më shpejtë paga minimale dhe që i plotëson kushtet dhe nevojat e të gjitha kategorive sociale, do të ishte e mirëseardhur”.
Sipas tij, është shqetësuese që shtresa rinore, të rinjtë dhe të rejat dhe kategoritë e mesme të popullsisë, kanë gatishmëri të madhe për të dalë jashtë vendit për një mirëqenie ekonomike më të madhe.
Ai thekson se rritja e pagës minimale do të ishte një impuls pozitiv, që sadopak jep shpresë që të ndalet trendi i largimit të fuqisë punëtore jashtë vendit.