Rritja e numrit të rasteve me coronavirus, ka bërë që shumë shkolla në nivel vendi të kalojnë në mësim online.
Nga 780 shkolla sa janë gjithsejtë në krejt vendin, 27 prej tyre aktualisht janë duke vijuar procesin mësimor në formën online.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e MASHTI-t, Iliriana Pylla.
“Meqenëse ditëve të fundit ka pasur rritje të numrit të të infektuarve me COVID-19, disa shkolla në Republikën e Kosovës kanë kaluar në mësim online. Sipas të dhënave që dërgojnë Inspektoratet e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit nëpër komuna ( sot ende nuk kemi të dhëna sepse janë duke u mbledhur) 27 shkolla po vijojnë mësimin online”, ka thënë Pylla.
Ajo ka shtuar se vendimet për të kaluar në mësim online e marrin task-forcat e shkollave, varësisht nga gjendja që paraqitet.
“Bazuar në masat e fundit që ka marrë Qeveria e Republikës së Kosovës të cilat janë marrë ditë më parë, nuk është paraparë mbyllja e shkollave edhe për këtë javë”, u shpreh Pylla.
Kujtojmë se Task Forca në nivel të MASHTI, në mbledhjen e mbajtur më 20 janar 2022, nxorri rekomandimin që të shqyrtohet mundësia për kalim të klasës përkatësisht shkollës në skenarin C (mësimi online) në njërin nga këto raste:
•Nëse brenda 3 ditësh konfirmohen 2 ose më shumë raste të infektimit të nxënësve me virusin SARS-Covid-19 brenda një klase;
•Nëse më shumë se 5% e nxënësve të shkollës janë aktualisht të infektuar me virusin SARS-Covid-19;
•Nëse shkalla e infeksionit në mesin e personelit të shkollës është e tillë që mungesat nga puna pamundësojnë organizimin e procesit mësimor me prezencë fizike.