Rritja e shpejtë e kapitenit

Prishtinë | 18 Jan 2020 | 09:11 | Nga Ekonomia Online

Para një viti luftonte për hapësirë te Dinamo e Zagrebit, ndërsa tash i është bashkuar një prej klubeve më të mëdha në Itali. 

Ngritja e kapitenit të Kosovës, Amir Rrahmani, është e jashtëzakonshme. Mbrojtësi qendror të premten u është nënshtruar kontrollimeve mjekësore te Napoli, një prej klube ikonë të Serie A. 

Mbrojtësi prishtinas ka bindur shpejt në kampionatin italian. Në fund të korrikut të vitit të kaluar ka firmosur me Veronën, skuadër e kthyer në Serie A. Startoi në të gjitha ndeshjet, nuk  e kompletoi vetëm një prej tyre dhe u paraqit në nivel të lartë. Shpërblimi erdhi menjëherë, shkruan sot Koha Ditore.

Ndonëse kontrata me Veronën ishte për katër vjet, ai do të largohet nga kjo skuadër pas vetëm një viti. Rrahmani në korrik do të kalojë te Napoli. Napoli ka paguar 14 milionë euro dëmshpërblim te Verona për të siguruar shërbimet e Rrahmanit. 

Për të janë interesuar edhe skuadra të tjera italiane, e po ashtu edhe skuadra të top-ligave të tjerave evropiane. 

Rrahmani, 25-vjeçar, u është nënshtruar testeve mjekësore në klinkën “Villa Stuart” në Romë dhe është raportuar se ka firmosur kontratën të premten pasdite. Kontrata e tij është e vlefshme për pesë vjet, ndërsa Rrahmani do të përfitojë 1.8 milionë euro në vit. 

Vetëm dy milionë euro kishte ndarë Verona për ta transferuar mbrojtësin e fuqishëm nga Dinamo e Zagrebit vitin e kaluar. Deri të premten mbrëma Napoli nuk e ka zyrtarizuar transferimin e Rrahmanit, por kjo më tepër shihet si formalitet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme