Konfindustria vlerëson, se parashikimi për rritje të ekonomisë me 4.3% të PPB në projekt buxhetin e vitit fiskal 2019 i shpallur së fundmi nga ekzekutivi, është ndjeshëm më i ulët krahësimisht marrjes parasysh së masës së përgjithshme të investimeve në formën e PPP, koncesioneve, etj. të programuara për tu zbatuar.
“Një parashikim i tillë i ulët i rritjes ekonomike mund të vijë ose nga llogaritje jo realiste nga ekzekutivi ose është shenjë e vështirësive dhe pritshmërive të dobëta në performimin e ekonomisë shqiptare për vitin 2019,” thuhet në një komunikatë për medie të, Gjergj Buxhuku, administrator i përgjithshëm, transmeton EkonomiaOnline.
Konfindustria vlerëson, se rritja e parashikuar për vitin 2019 duhet të ishte parashikuar të paktën 2.5% e PPB më e lartë. Përfundmi i mësipërm buron nga fakti, se gjatë vitit 2019 dhe 2,3 viteve në vazhdim do të përqëndrohet e gjithë masa e investimeve jashtë buxhetore, pjesë të programit të ”1 miliard euro” në formën e Partneritetit Publik Privat/PPP. E gjithë masa e investimeve të programit në fjalë janë kryesisht projekte PPP në infrastrukturë, të ardhura në formën e projekteve të pakërkuara dhe të zbatuara në një periudhë të shkurtër kohore, duke filluar nga viti 2019.
“Sa më sipër janë në thelb borxhe të kaluara brezave dhe qeverisjeve të ardhshme, por në vitet e para investimet duhet detyrimisht të prodhojnë rritje ekonomike shtesë nga një buxhet normal vjetor. Në rast të zbritjes nga niveli 4.3% i PPB i parashikuar ne projekt buxhet të masës së ndikimit të përkohshëm shtesë të investimeve jashtë buxhetore PPP, koncesione, etj., rritja ekonomike e parashikuar për vitin fiskal 2019 është e papërfillshme dhe është tregues i problematikave serioze në funksionimin e ekonomisë shqiptare,” thuhet në komunikatë.
Në masën e mësipërme të investimeve jashtë buxhetore të parashikuar për zbatim duke filluar nga viti 2019, por që janë drejtpërdrejt detyrime për tu paguar në mënyra të ndryshme në vitet në vijim nga shteti dhe kompanitë publike, nuk janë përfshirë edhe një numër i madh koncesionesh, sidomos në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike nga uji, dielli, industrinë aeroportuale, infrastrukturë, etj.
“Në këtë rast rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria, duhet të ishte mjaft më e lartë edhe se niveli prej 2,5% i PPB i pretenduar dhe parashtruar më sipër nga Konfindustria.”