Në SHBA numri i të prekurve me COVID-19 ka arritur në rreth 46,500, me rreth 600 të vdekur dhe sëmundja ka prekur të gjitha shtetet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi të martën se SHBA mund të shndërrohen në epiqendrën globale të pandemisë.
Guvernatori i shtetit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo tha sot se numri i infektimeve në këtë shtet po dyfishohet çdo tre ditë. “Virusi po lëviz si një tren i shpejtësisë së lartë,” tha ai.
Shteti ka mbi 25 mijë raste me COVID-19, ndërsa vetëm qyteti i Nju Jorkut ka 15 mijë.
Zoti Cuomo tha se Nju Jorkut tani i duhet të rrisë në mënyrë dramatike dhe shumë shpejt kapacitetin e spitaleve. “Nevoja kritike më e madhe tani janë ventilatorët, të cilët do të bëjnë dallimin mes jetës dhe vdekjes”, tha ai.
Rreth një e treta e popullsisë në Shtetet e Bashkuara është urdhëruar të qëndrojë në shtëpi nga guvernatorët e shteteve.
Ndërkohë që sfidat ekonomike kërcënojnë vendin, zyrtarët amerikanë thanë se shpresojnë të arrijnë marrëveshje për një paketë shpëtimi prej 2 trilion dollarësh.
Udhëheqësi i pakicës në senat Chuck Schumer dhe sekretari i Thesarit Steven Mnuchin zhvilluan bisedime deri vonë të hënën pasi senati dështoi për herë të dytë të binte dakord për projekt-ligjin i cili do t’u jepte para në dorë shumicës së amerikanëve dhe shumë bizneseve që janë ndikuar rëndë nga koronavirusi.
Sipas projekligjit që po debatohet, shumica e familjeve amerikane prej katër personash do të merrte nga 3 mijë dollarë ndihmë, ndërkohë që paketa do të krijonte një program kredie prej 500 miliardë dollarësh për bizneset, qytetet dhe shtetet.
Ajo parashikon 350 miliardë dollarë të tjera për të ndihmuar bizneset e vogla të përballojnë kostot e pagave në një kohë kur ka një kërkesë në rënie për produktet dhe shërbimet e tyre. /VoA