Rrjeti i Grave i Kosovës (RrGK) ka shprehur shqetësimin për sulmet e fundit të bëra ndaj grave në vendimmarrje në vend. RrGK ka dënuar portretizimin e grave në vendimmarrje si të paafta.
“Në vend se gratë në pozita vendimmarrëse të vlerësohen për punën dhe përformancën e tyre, ne jemi dëshmitarë se vazhdimisht ndaj tyre po shpërfaqet mendësia patriarkale. Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor të vitit 2019, kemi qenë dëshmitarë të rritjes së numrit të grave që kanë fituar ulëset në parlament. 26 nga 39 deputetet janë zgjedhur në këtë postë pa kuotën gjinore”.
“Kështu, gratë vazhdojnë të jenë pjesë konstruktive e proceseve politike në Kosovë, andaj çdo tentativë për zhvleftësimin e rolit të tyre politik përmes akteve seksiste dhe mizogjeniste është krejtësisht e papranueshme”, është thënë ndër të tjera nga RrGK-ja.
“Përmes kësaj letre, RrGK edhe një herë shpreh shqetësimin për këtë qasje, duke sjell ndërmend se kjo gjuhë dhe qasje seksiste e mizogjeniste, përveç shkeljes së të drejtave themelore të njeriut, të cilat janë në fundament të Kushtetutës së Kosovë, për më tepër është denigruese për gratë dhe pozitën e tyre në shoqëri”.