Rrjeti i Shitësve me Pakicë njofton se e mirëpret vendimin e Kuvendit të Kosovës për miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
Rrjeti konsideron se reagimi institucional në përpjekje për të sanuar dëmet ekonomike të pandemisë COVID-19 dhe mbështetur sektorin privat edhe pse i vonuar, i kontribuon ruajtjes së vendeve të punës dhe rimëkëmbjes së bizneseve.
“Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të trajtojnë çdo sferë kontradiktore, të bëjnë ndryshimet e duhura po që se shihet e nevojshme dhe të miratojnë në tërësi në seancat e radhës Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, në mënyrë që të mundësohet disbursimi i mjeteve dhe mbështetja e bizneseve. Çdo vonesë në stimulim të bizneseve të prekura nga COVID-19 po shkakton dëme të pariparueshme duke vënë në rrezik vende të punës dhe subjekte ekonomike. Andaj, ne i bëjmë thirrje përfaqësuesve në Kuvendin e Republikës së Kosovës që të lënë anash dallimet politike dhe të të fokusohen në trajtimin e çështjeve esenciale për garantimin e mbarëvajtjes dhe qëndrueshmërisë ekonomike”, thuhet në njoftimin e rrjetit.
Ky Projektligj kishte dështuar të votohej për gjashtë herë që nga muaji gusht kur ishte prezantuar për herë të parë në Kuvend.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.