Pasditen e së dielës, në bjeshkët e fshatit Uqë të Istogut, një person është rrokullisur me traktorin e tij dhe si pasojë e kësaj ka humbur jetën.
Rastin për Gazetën Express e ka konfirmuar Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova, i cili ka thënë se vdekja është cilësuar aksidentale.
“Të dielën rreth orës 14:30, Policia e ka marrë informatën se në bjeshkët e Uqës ka ndodhë një rast ku një person është rrëzuar me traktorin e tij. Njësitet policore së bashku me mjekun kujdestar kanë dalë në vendin e ngjarjes, i cili e ka konfirmuar vdekjen e një personi të moshës 57-vjeҫare”, ka thënë Rugova.
Rugova, po ashtu, ka theksuar se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori, me vendim të së cilit trupi i pajetë i viktimës i është dorëzuar familjes për ceremoni të varrimit.