Ndërtimi i rrugës që lidh komunën e Deçanit me Plavën, pos që konsiderohet bosht i zhvillimit ekonomik, është edhe si një arterie e integrimit rajonal, Kosovë-Mali i Zi dhe Shqipëri. Mirëpo, rëndësia më e veçantë e ndërtimit të kësaj rruge është në atë së bën lidhjen e trojeve shqiptare, që mund të quhet edhe rrugë e “lidhjes kombëtare”.
Infrastruktura ekonomike dhe konkretisht ajo rrugore, paraqet faktorë limitues të zhvillimit ekonomik. Investimet në infrastrukturën ekonomike (rrugë, energji, etj.) kanë karakter kapitalo-intensiv, sepse absorbojnë vlerë të madhe të investimeve dhe punësojnë numër të vogël të punëtorëve”. Investimet për këtë rrugë janë të arsyeshme dhe efikase, sepse kjo rrugë paraqet bosht të zhvillimit, jo vetëm për ekonominë e komunës së Deçanit, por edhe për ekonominë e Kosovës dhe të Plavës, por edhe viseve tjera shqiptare në të Malit të Zi. Pra, nga aspekti ekonomik, kjo rrugë ka arsyeshmërinë e vet, sepse do të mundësojë rritjen e tregjeve ekonomike, si për Deçanin e Kosovën, ashtu edhe për Plavën dhe Malin e Zi. Madje, kjo rrugë do të mundësojë zhvillimin e turizmit, dimëror e veror për këto dy komuna dhe për këto dy vende.
Ndërtimi i rrugës Deçan-Plavë, nuk është vetëm i interesit ekonomik, por është me interes të shumëfishtë, kombëtar dhe ndërkombëtar. Paraqet rrugë me interes kombëtar, duke lidh tokat etnike shqiptare, sikurse që bën lidhjen e dy vendeve fqinje. Ndërtimi i kësaj rruge, ka rëndësi mundëson krijimin e raporteve ndërshtetërore, e që është parakusht për tu integruar në familjen e madhe evropiane, kur dihet se ndër komponentët kryesor të Instrumentit për para anëtarësim në BE, është bashkëpunimi ndërkufitar. Pra, bashkëpunimi ndërkufitar, është një nga kërkesat kryesore për integrimin evropian, sepse mundëson zhvillimin e qëndrueshëm në të dyja anët e kufirit, promovon zhvillimin ekonomik dhe social, siguron kufijtë dhe në mënyrë efikase, luftohet krimi i organizuar. Fondet e IPA-s, kryesisht janë të orientuar në projektet të cilat mundësojnë komunikimin rajonal, siç është edhe komunikimi mes shteteve fqinjë, Kosovë, Malit i Zi dhe Shqipëri.
Ideja për ndërtimin e kësaj rruge ka qenë e kamotshme, qysh në vitet e ’70-ta. Por ishte penguar nga Serbia, me arsyetimin politik se “nuk duhet ndërtojmë rrugë për t’u lidhur me Shqipërinë”. Bazuar në këtë, si Shqipëria, ashtu dhe Kosova, duhet të ndërtojnë infrastrukturën rrugore drejtë trojeve shqiptare, qofshin kah Maqedonia, apo Mali i Zi, të cilat mundësojnë lidhjen fizike të trojeve etnike shqiptare. Sikurse që rruga e kombit, (autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë) lidhi trojet etnike shqiptare, pothuajse e të njëjtës rëndësi është edhe ndërtimi rrugës, Deçan-Plavë. Ndërtimi i rrugëve që bëjnë lidhjen e kombit, duhet të jenë strategji gjithëkombëtare, e jo vetëm të një shteti apo të dy komunave. “Për një kafe në Tiranë”, ishte një thënie e ish presidentit dr. Ibrahim Rugova, që ngjashëm mund të themi , “për një kafe në Ulqin”.
Pa asnjë dyshim, rruga Deçan-Plavë, është bosht i zhvillimit dhe integrimit të viseve shqiptare, krijimit të raporteve ndër shtetërore si para kusht i vendosur nga BE-ja, ndaj nuk duhet të hezitohet, e as të kursehet, por nëse është e nevojshme, duhet ndarë edhe kafshatën e bukës, për ndërtimin e saj.