Kosovarët janë të vetmit në Ballkan që u duhet viza për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Një rrugë e filluar qe 12 vjet, ende nuk ka përfunduar. Por, cilët hapa i ka kaluar e cilët janë në vijim deri të liberalizimi?
Radio Evropa e Lirë ka publikuar një infografikë, përmes së cilës ka treguar rrugën që i pret kosovarët deri të udhëtimi pa viza.
Në korrik të vitit 2018, Komisioni Evropian rekomandoi liberalizimin e vizave për Kosovën. Një muaj më pas, Komiteti LIBE votoi pro këtij rekomandimi.
Pas votimit të Komitetit LIBE, në shtator të 2018’ës, Parlamenti Evropian konfirmoi mandatin për negociata me Këshillin e BE’së për liberalizimin e vizave.
Një vit më pas, Komiteti LIBE votoi (sërish) për fillimin e negociatave me Këshillin e BE’së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.
Këto janë shkallët që deri tash i ka kaluar në këtë drejtim. Cilët janë hapat tjerë?
Tash duhet që ambasadorët e Bashkimit Evropian të votojnë për liberalizimin e vizave. Pas këtij votimi, do të pësonte mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian.
Më pas, ambasadorët e BE’së duhet të miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet.
Pastaj, Parlamenti Evropian voton për liberalizim. Pas këtij hapi, Ambasadorët e Bashkimit Evropian votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave.
Më pas Këshilli i Ministrave të BE’së duhet të miratojë me shumicë të thjeshtë liberalizimin.
Pas këtyre votimeve, akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian.
Vendimi më pas duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe më pas liberalizimi hyn në fuqi.