Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, mori pjesë në punëtorinë “Rruga e Kosovës drejt Konfiskimit të Pasurisë së Paligjshme Pa Dënim Penal (NCBC), Modeli i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, Drejtësia, Bashkëpunimi Policor dhe Reforma Institucionale”, organizuar në kuadër të Projektit të Programit të Punëve të Brendshme të Bashkimit Evropian në Kosovë (HAPE).
Gjatë fjalës së tij, U.d. Kryeprokurori Kelmendi theksoi rëndësinë të cilën e ka konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme të pajustifikuar pa dënim penal, sipas standardeve ndërkombëtare dhe praktikave më të mira të Bashkimit Evropian. Ai theksoi se ky model paraqet një instrument efektiv dhe të nevojshëm për luftën kundër veprave të ndryshme penale, veçanërisht krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Në këtë kontekst, U.d. Kryeprokurori i Shtetit nënvizoi edhe rëndësinë e deklarimit të pasurisë nga të gjithë qytetarët e Kosovës, duke theksuar se kjo do të mundësojë një kontroll më gjithëpërfshirës dhe të thelluar të origjinës së pasurive të cilat janë të fituara përmes veprave penale ose të pajustifikuara.
Në këtë punëtori ka marrë pjesë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, z. Blerim Isufaj, i cili ka mbajtur fjalë rasti, gjithashtu kanë marrë pjesë edhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit, z. Agron Bajrami, zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj. Jehona Grantolli, prokurorë, kryetarë të gjykatave, gjyqtarë, përfaqësues të Policisë së Kosovës si dhe përfaqësues të institucioneve tjera ligjzbatuese, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare.
