Te Bashkimi e pranojnë se rruga për ta mbrojtur titullin është shumë e vështirë dhe ndoshta e pamundur t’i dilet në krye. Por trajneri Jeronimo Sharin insiston se basketbollistët e tij do të luftojnë deri në fund.
Bashkimi është kampion në fuqi, meqë edicionin e shkuar për herë të parë në histori të klubit, fitoi titullin e kampionit të Kosovës.
Por që ky sukses të përsëritet është vështirë.
Bashkimi pjesën e rregullt të stinorit e ka mbyllur në pozitën e katërt, kurse garat e plejofit do t’i nisë prej fazës çerekfinale.
Në këtë fazë, ku fituesi përcaktohet me dy fitore, Bashkimi do të përballet me Trepçën, që pjesën e rregullt e përfundoi e pesta në tabelë. Ndeshja e parë e kësaj serie zhvillohet të martën (sot) në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren (19:00). E në rast se fiton këtë seri me Trepçën, atëherë në gjysmëfinale do të takohet me Z Mobile Prishtinën, skuadrën më të fortë në vend dhe e cila nuk ka humbur asnjë ndeshje kampionale këtë stinor.