Një ngjarje e rëndësishme e karatesë nis, të premten (sot) në Paris. Prej të premtes deri të dielën në kryeqendrën franceze mbahet gara “Karate 1 Premier League”, në të cilën fitohen pikë të rëndësishme për ranglistën olimpike.
Në pikë të reja për ranglistën olimpike shpresojnë edhe katër karateistët kosovarë që do të garojnë në Paris: Fortesa Orana, Orges Arifi, Alvin Karaqi e Herolind Nishevci. Të gjithë këta kanë shpresa të paraqiten në Lojërat e ardhshme Olimpike, “Tokio 2020”, në të cilat për herë të parë do të garohet edhe në sportin e karatesë, shkruan sot Koha Ditore.
Por rruga e karateistëve, jo vetëm atyre kosovarë, për në skenën olimpike, është shumë e vështirë. Vetëm pak prej karateistëve më të mirë në botë do të kenë nderin të garojnë në Lojërat Olimpike në Tokio. Në karate kualifikimi për “Tokio 2020” vlerësohet të jetë dukshëm më i vështirë se në sportet e tjera. Ka disa arsye për këtë.
Karateja është njëri prej pesë sporteve që janë përfshirë në programin olimpik vetëm për “Tokio 2020”. Por si sport debutues olimpik, karateja do të ketë numër të vogël garuesish. Në luftëra do të garohet në tri kategori e jo në pesë sa janë në programin e Federatës Botërore të Karatesë. Kjo është prej arsyeve që numri i pjesëmarrësve bëhet i vogël.