Në orët e mëngjesit, me 4 muaj ndërmjet, ndodhën dy aksidente të tmerrshme me autobus në Kroaci dhe tani në Bullgari. Derisa nga aksidenti i para 4 muajsh shpëtuan gjallë rreth 40 udhëtarë, në aksidentin e sotëm shumicë janë ata që vdiqën në vendin e ngjarjes. Në të dy aksidentet, të vdekurit dhe të lënduarit janë kryesisht shqiptarë.
Të paktën 45 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të sotëm, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.
Më 25 korrik, katër muaj më parë, një aksident i përmasave shumë të rënda kishte ndodhur në Slavonski Brod të Kroacisë. Si pasojë e aksidentit, që pati ndodhur po ashtu në orët e para të mëngjesit, dhjetë persona kishin vdekur, ndërsa mbi 40 të tjerë ishin lënduar.
Në mesin e viktimave të aksidentit të sotëm ka edhe fëmijë. Shtatë të mbijetuar po trajtohen ndërkohë në spitalin e kryeqytetit bullgar, Sofje, si pasojë e djegieve, ka thënë Nikolai Nikolov nga Ministria e Brendshme e Bullgarisë për televizionin BTV.
Në autobus besohet se kanë qenë 53 persona.
Ndërkohë policët maqedonas kanë hyrë në ambientet e kompanisë “Besa Trans” në Shkup, për shkak të kësaj tragjedie.Kompania aktualisht është e mbyllur dhe sipas gazetës bullgare, Trud, pronari i kompanisë së autobusëve është shqiptari Azdren Ziberi.
Në aksidentin e sotëm që po i kthente udhëtarët nga Turqia, nuk kanë arritur të shoëtojnë gjallë as dy shoferët.
Në aksidentin në Kroaci, njëri nga shoferët kishte shpëtuar. Ai ishte gjetur në vendin e ngjarjes, ishte arrestuar dhe që atëherë po mbahet në paraburgim.