Disa prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit anglez janë nderuar me forma të ndryshme nga qytetet ku jetojnë, përfshirë edhe duke emërtuar rrugë sipas tyre.
Për shembull, legjendat Brian Clough e Alan Shearer kanë rrugët “e tyre” në Angli. Ata janë vetëm dy prej shumë lojtarëve që kanë rrugët sipas emrave të tyre për shkak të kontributit të dhënë ndër vite për përfaqësuesen angleze, transmeton Koha Ditore.
Por si u bë që nëpër të gjithë Anglinë të ketë rrugë me emrat e reprezentuesve të tashëm të Anglisë? Thjesht është koincidencë dhe nuk bëhet fjalë për një nderim kaq të madh për ta kur ende janë në fillim apo mes të karrierës dhe për më tepër, nuk kanë arritur ende asgjë me përfaqësuesen angleze.
BBC-ja ka përzgjedhur disa prej rrugëve nëpër Angli, si “Kane Close” apo “Pickford Way” që lidhen me mbiemrat e sulmuesit Harry Kane dhe portierit Jordan Pickford.
“Southgate Street”, Glouchester
Seleksionuesi i Anglisë, Gareth Southgate, po përgëzohet nga të gjithë anglezët për kalimin në çerekfinale të botërorit “Rusia 2018”. Dhe ndoshta kjo është njëra prej arsyeve që një adhuruese e Anglisë, rrugës “Southgate Street” në Glouchester, ia ka ngjitur edhe tabelën me emrin “Gareth” për të respektuar seleksionuesin anglez. “Nuk jam tifoze e futbollit, por po më pëlqen emri që i është shtuar rrugës sonë. Triumfi ndaj Kolumbisë më ka bërë adhuruese të flaktë të Anglisë”, ka thënë Megan Wheeler, që pothuajse për çdo ditë kalon nëpër rrugën Southgate.