Një rrugëtim jo shumë i zakonshëm në karrierë e ka dërguar portierin Betim Halimi në një skuadër që aktualisht nuk e ka mundësinë të luajë në qytetin e vet.
Halimi të mërkurën firmosi për tre vjet e gjysmë me skuadrën ukrainase Olimpik Donetsk.
Olimpiku prej edicionit 2014\15 garon në Premier Leaguen e Ukrainës, por prej atëherë nuk e ka mundësinë të luajë si vendas në Donetsk, ku edhe është selia e këtij klubi, shkruan sot Koha Ditore.
Donetsku është në qendër të konfliktit të armatosur në regjionin e Donbasit në Ukrainë. Bëhet fjalë për një konflikt të shtetit të Ukrainës me forca separatiste pro-ruse. Konflikti nuk ka përfunduar ende dhe për këtë selia e përkohshme e Olimpikut është në Kiev, kryeqendrën ukrainase.
Prej Kievit edhe ka folur Halimi të enjten për gazetën. Portierit të gjatë plot 202 centimetra të enjten, bashkëlojtarët ia kanë festuar ditëlindjen e 23-të, në mënyrë tradicionale për klubin – duke ia dhënë disa goditje derisa po kalonte nëpër “tunelin” e formuar nga bashkëlojtarët.