Edhe pse, sipas drejtuesve të Radiotelevizionit të Kosovës, buxheti prej 13 milionë eurosh nuk përmbush kërkesat programore e as teknologjike të këtij televizioni, gjatë vitit 2017 ky institucion ka vazhduar me punësime të reja dhe blerje të produkteve nga produksionet e jashtme, shkruan sot “Koha Ditore”.
Nga 731 punëtorë të rregullt sa ishin në janar të vitit 2017, ky vit u përmbyll me 44 punëtorë më shumë. Këtij numri i shtohen edhe 212 të punësuar me kontratë mbi vepër, numër ky që brenda vitit është rritur për 7 persona.
Këto të dhëna janë pasqyruar në raportin vjetor financiar të RTK-së për vitin 2017, i cili më 3 vota për, 2 kundër dhe 1 abstenim u miratua të mërkurën nga Komisioni për Buxhet dhe Financa. Miratimi u bë megjithëqë deputetët anëtarë të Komisionit dhanë një sërë vërejtjesh për keqmenaxhim të parasë publike, shpenzime joracionale të buxhetit, mbi punësim e blerje të produkteve të jashtme.