Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri (AMA) i ka tërhequr vërejtjen Radiotelevizionit Publik Shqiptar, për transmetimin e këngëve të këngëtares serbe, Ceca. Kjo ka ardhur pas ankesave që i janë drejtuar AMA-s që në thelb kishin përfshirjen në program me muzikë në gjuhën e pakicave të asaj dite dhe të këngëtares serbe, Svetllana Razhnatoviq, e njohur me emrin e artit si Ceca.
Sipas AMA-s, këngëtarja serbe i është bashkuar disa herë, publikisht, zërave antishqiptarë për Kosovën, ndërsa shton se në këngët e deklaratat e saj të hershme, Ceca ka qenë frymëzuese e krimeve në Bosnjë dhe në Kosovë. AMA thekson se programi dhe hapësira për pakicat në RTSH, që i shërben miqësisë dhe solidaritetit mes popujve dhe kulturave, nuk duhet të promovojë figura që me angazhime konkrete kanë treguar dhe tregojnë të kundërtën, shkruan sot “Koha Ditore”.
“Bazuar në ankesa që i janë drejtuar Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), nga ndjekës të kanalit RTSH 2, për përmbajtjet e transmetuara në fashen orare 18:58-19:23, datë 13.07.2019 u bë monitorimi dhe vlerësimi i tyre. Ankesat në thelb ishin për përfshirjen në program me muzikë në gjuhën e pakicave të asaj dite dhe të këngëtares serbe, Svetllana Razhnatoviq, e njohur me emrin e artit si Ceca. Dihet se kjo këngëtare me të shkuar të trazuar i është bashkuar disa herë publikisht zërave antishqiptarë për Republikën e Kosovës. Me këngët dhe deklaratat e saj të hershme Ceca ka qenë frymëzuese e krimeve në Bosnjë dhe në Kosovë, ka qenë suport për veprimet çnjerëzore të ish-bashkëshortit të saj, kriminelit të luftës Arkan, dhe grupeve militare dhe paramilitare serbe që ai ka udhëhequr. Vetëm pak muaj më parë Ceca ishte në një koncert në pjesën veriore të Mitrovicës, në një performancë artistike të kombinuar me mesazhe politike kundër qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Kanali RTSH 2 përfshin në programin e vet dhe hapësirën për pakicat, por ky element që i shërben miqësisë dhe solidaritetit mes popujve dhe kulturave nuk duhet të promovojë figura që me angazhime konkrete kanë treguar dhe tregojnë të kundërtën. Ndaj dhe përmes kësaj shkrese ua tërheqim vëmendjen për evitimin e rasteve të tilla, që krijojnë ndjeshmëri negative tek ndjekësit e programeve të Transmetuesit Publik”, thuhet në shkresën që AMA i drejton Radiotelevizionit Publik Shqiptar.