Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë që Rudina Magjistari të mos dijë çfarë po ndodh më programin e saj. Të paktën jo deri sot. Ajo që organizon çdo detaj derisa shfaqet live në transmetim, sot nuk e kontrolloi dot atë që ndodhi.
Së bashku me stafin e programit të pasdites, kantautori i njohur Gjergj Leka, i ftuar pasditen e sotme në “Rudina” për të rrëfyer projektet e tij të reja, në fakt kishte sjellë me vete edhe një surprizë të pazakontë për mikeshën e tij të hershme. Programi në të cilin jemi mësuar të shohim personazhet të emocionuar nga surprizat, sot la pa fjalë vetë drejtuesen e tij.
Meqenëse Gjergji ka qenë disa herë i ftuar në “Rudina” dhe ka marrë gjithmonë surpriza, kishte menduar që herën e ardhshme të ishte ai që do t’i bënte surprizat. Propozimet e njerëzve më të afërt ishin nga më të ndryshmet, deri edhe te byreku me spinaq i vjehrrës së tij, por nuk ishte kjo ajo që vetë Gjergji donte t’i bënte një mikeshe si Rudina, ndaj vendosi t’i bëjë dhuratë një këngë:
“Unë të kam bërë një dhuratë që ti nuk e ke marrë kurrë në jetën tënde. Dhurata ime është ajo që jeton gjithë jetën. Është një këngë”, – i tha Gjergji Rudinës.
Pas kësaj, kënga “Zonjë si Rudina” u shfaq në ekran. Në realizimin e klipit kishin marrë pjesë edhe të gjithë bashkëpunëtorët e programit të pasdites, ndër ta edhe zonjat e publikut. E mbetur pa fjalë për magjinë që i krijoi kjo surprizë, Rudina e falënderoi Gjergjin për gjithçka kishte realizuar dhe për dedikimin e paharruar.
E çuditur për realizimin e të gjithë kësaj dhurate të bukur, Rudina tha se ishte ndër më të bukurat që ka marrë në jetë.