Zyrtarë të Listës Serbe vështirë se do të mund të bëhen pjesë e formimit të Qeverisë, respektivisht pjesë e koalicionit LDK dhe Vetëvendosje.
Kështu ka deklaruar anëtari i Kryesisë së LDK-së, Haki Rugova, i cili thotë se partia e tij është e hapur për koalicion edhe me NISMA-n për Kosovën, gjithmonë, nëse kjo e fundit e kalon pragun.
“Nuk ka nevojë që të bëhet koalicion me Listën Serbe. Ata do ta kenë vendin në qeverisje në bazë të Kushtetutës. Përndryshe koalicionin me ta nuk e preferojë dhe nuk duhet të ketë”, deklaroi Rugova për Express.
Mirëpo ai tutje deklaroi se nëse NISMA e Fatmir Limajt e kalon pragun zgjedhorë, atëherë me të mund të flasin rreth një koalicioni të mundshëm.
“Unë iu besojë koalicioneve. Ato vendosen në baza parimore dhe politikave të mira qeverisëse. Nëse edhe NISMA e kalon pragun, pse jo, nuk ka asnjë kufizim me të. Ne kufizimet i kemi me PDK-në”, thotë ai.
Rugova i ka komentuar edhe deklaratat e anëtares së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiut e cila deklaroi se me LDK-në, gjatë takimeve punuese janë dakorduar që Qeveria e re t’i ketë maksimumi 12 ministri. Por rreth këtyre deklaratave Rugova thotë se nuk është definitiv ky numër. Sipas tij, mund të ketë më shumë apo më pak.
“Ministritë ende nuk janë nda. Nuk ka asgjë finale, krejt janë solucione të ndryshme, qiten në tavolinë e tjerrën deri ta marrin formën e duhur. Është pikëpyetje a do të jenë 12 ministri. Ministritë bëhen sipas nevojave dhe sipas marrëveshjeve”, deklaron Rugova.
Megjithëkëtë, ai është shprehur optimist për një koalicion të frytshëm me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.
“Unë po e shohë që bisedimet kanë filluar mirë. Vendimet finale do t’i marrë kryesia e LDK’së dhe Këshilli i Përgjithshëm. Ne ende nuk kemi vendosë asgjë për poste. Nuk kemi qitë asnjë kornizë. Është normale që të bisedojmë rreth programeve qeverisëse e deri tek postet. Por kjo është një fazë më e vonshme, kjo do të vendoset pas certifikimit të rezultateve”, thotë Rugova.
Qeveria Haradinaj është konsideruar si më e madhja që Kosova ka pasur ndonjëherë me 21 ministri dhe afër 80 zëvendësministra kështu duke u bërë edhe struktura më e madhe në Ballkan.