Kampioni i kategorisë së rëndë në boksin profesionist, Andy Ruiz Jr, ka deklaruar se Anthony Joshua nuk është “boksier i mirë” dhe është zotuar se do ta mposhtë sërish kur ta ketë përballë në rimeç.
Ruiz, 29-vjeçar, nuk befasoi vetëm Joshuan, por gjithë opinionin kur triumfoi ndaj britanikut më 1 qershor, për t’i fituar titujt në versionet IBF, WBA dhe WBO. Në kontratë ishte edhe marrëveshja për rimeç për të cilin do të diskutohet gjatë këtij viti. Gjasat janë të mëdha që sërish boksierët të dalin përballë njëri-tjetrit në “Madison Square Garden” të New Yorkut, shkruan sot Koha Ditore.
“Edhe rimeçi do të jetë i njëjtë. Do të jem edhe më i përgatitur dhe më i vendosur për ta mposhtur sërish Joshuan dhe të dëshmoj se fitorja ime nuk ishte e rastësishme”, ka insistuar Ruiz. “Unë tashmë e njoh Joshuan dhe e di se ku mund të gaboj ai. E vetmja gjë që mund të bëj Joshua është të vrapoj nëpër ring, pasi nuk është boksier i mirë. Kështu që unë do ta mposht sërish për t’ia vërtetuar këtë edhe Joshuas”.
Ruiz ka lindur në Kaliforni, por bokson nën flamurin e Meksikës për shkak të prejardhjes së prindërve të tij. Në fakt ai është kampioni i parë i botës në peshën e rëndë nga Meksika.