Zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, ka renditur katër akuza për aferë korruptive në Korporatën Energjetike të Kosovës, pas bastisjes së sotme atje dhe pas arrestimit të Kryeshefit Ekzekutiv, Nagip Krasniqi.
Sipas tij, është negociuar një tender dhe është nënshkruar brenda katër ditësh, me vlerë prej 3.4 milionë eurosh, me një biznes individual.
Rukiqi, si kolegu i tij Visar Azemi, beson se është vonuar qëllimshëm riparimi i një Blloku të Termocentralit “Kosova A”.
“Vonesa të qëllimshme në remontin e Termocentralit ‘Kosova A’, për të trashur xhepat e Martin Berishajt, nga rritja e paparashikuar e importit te energjisë elektrike”, ka shkruar Profesori i Ekonomisë.
Ai tutje shkruan se, “rasti korruptiv në KEK është vetëm një nga rastet e zbuluara, që paralajmëron shpërthimin dhe shpërfaqjen masive të korrupsionit të kësaj qeverisje”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka njoftuar se është arrestuar Kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, nën dyshimin se ka kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’, ‘’Ushtrimi i ndikimit’’ dhe ‘’Konflikti i interesit’’.
I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë. Atij i janë bastisur edhe dy banesat e tij, ku janë sekuestruar dokumente të ndryshme që ndërlidhen me rastin, pajisje elektronike si tre kompjuter, një llap-top, një celular, një USB, në cilësi të provave materiale që do të shërbejnë për procedurën e mëtejme.