Rukiqi: Këtë vit mund të ndryshojnë partitë, por jo gjendja ekonomike

Prishtinë | 18 Jan 2021 | 08:10 | Nga Fitore Berisha

Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Berat Rukiqi, në një intervistë për Ekonomia Online tha se rritja ekonomike për vitin 2021 pritet të jetë vetëm 3.5 deri në 4 për qind, një ndër shkaqet për këtë është jostabiliteti politik në vend.

Tutje, Rukiqi tha se për këtë vit, prioritet është që të mbahet ekonomia e hapur dhe të mos rritet dëmi ekonomik.

“Edhe këtë vit është vështirë për ta projektuar rritjen ekonomike. Ne po shpresojmë që do të arrijmë ta mbajmë ekonominë hapur dhe ta menaxhojmë situatën me pandeminë në mënyrë që të mos rritet dëmi ekonomik që ka qenë i konsiderueshëm vitin e kaluar. Por shenjat e para janë që edhe ky tre mujor i parë i këtij viti nuk do të jetë i lehtë për ekonominë anembanë globit e sigurisht edhe në Kosovë”.

“Edhe një arsye shtesë që është goxha problematike në projeksionet e rritjes ekonomike është jostabilitet politik. Fakti që ne kemi zgjedhje të shpeshta nuk e dimë çka do të prodhojë ky cikël zgjedhor a do të prodhojë stabilitet mirëpo në këto raste na mbetet m’i iu referua shifrave zyrtare dhe diku projeksionet janë 3.5 deri në 4% që mund të ketë rritje ekonomike këtë vit”, shtoi Rukiqi.

Sipas tij, qeveria edhe pse është në detyrë e ka buxhetin dhe mund ta shpenzojë për në përkrahjen e bizneseve, raporton Ekonomia Online.

“Qeveria është në detyrë që ka funksionet bazike përkrahjen për bizneset e cila e ka edhe buxhetin dhe përderisa mund ta shpenzojë buxhetin. Në këso situata qeveria në raport me përkrahjen ekonomike, me vazhdimin e investimeve kapitale mund t’i kryejë detyrat”.

Rukiqi theksoi se në këto zgjedhje mund të ndryshojë qasja e qeverisjes në emra të përveçshëm, po ashtu mund të ndryshojnë partitë të cilat e udhëheqin qeverinë, mirëpo jo gjendja ekonomike.

“Nuk pres asgjë të re në raport me këtë që kemi pasur deri tani. Mund të ndryshojë qasja e qeverisjes në emra të përveçshëm mund të ndryshojnë partitë të cilat e udhëheqin qeverinë, mirëpo ne kemi parë që më shumë me interes kanë qenë disa tema populiste dhe nuk e ndryshojnë gjendjen e ekonomisë.”

“Asnjëherë nuk arritëm që të kemi një zhvillim ekonomik i cili gjeneron punësim jo në sektorin publik por në atë privat asnjëherë nuk arritëm që të kemi investime të huaja direkte të cilat do të ishin impakt për rritjen ekonomike”, u shpreh ai.

Kryetari i OEK-ut Berat Rukiqi shtoi se rimëkëmbja dhe diplomacia ekonomike janë prioritete të Odës Ekonomike.

“Pandemia nuk është që po shkon drejt fundit. Ka shenja pozitive me vaksinën. Ne do të fokusohemi në diplomacinë ekonomike. Kosova edhe pas pandemisë ka nevojë të ketë lidhje të forta ekonomike me vendet e tjera. Prandaj duhet të shohim mundësinë të sjellim investime në Kosovë në fushat ku ka nevojë te energjia, infrastruktura, shëndetësia, pjesa e prodhimit. Duhet të shohim se kah mund të eksportojmë më shumë. Prandaj rimëkëmbja dhe diplomacia ekonomike janë prioritete të Odës Ekonomike”, përfundoi ai.

Të ngjashme