Pas ceremonisë së nënshkrimit të themelimit të Odës bilaterale të Kosovës dhe Shqipërisë, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se ndërmjet dy vendeve ka projekte të përbashkëta për rritjen e investimeve, raporton Ekonomia Online.
“Kemi projekte të përbashkëta që kanë për qëllim rritjen e investimeve, promovimin e ndërmarrjeve tona”.
“Rritja e investimeve reciproke do të duhej të ishte qëllimi i kësaj ode. Për keqardhje është fakti që ka shumë barriera tarifore dhe jotarifore. Edhe pse sot është diskutuar për këto barriera, por ende nuk po bëhet mjaftueshëm. Premtimin e heqjes së barrierave nga dy qeveritë, ne do ta monitorojmë këtë situatë”.
Kryetarja e Odës Ekonomike të Shqipërisë, Ines Muncostepa, tha se kjo marrëveshje është e rëndësishme dhe ndihmon ekonominë e dy vendeve, raporton EO.
“Ishte një moment i rëndësishëm për odat tona dhe së fundmi arritëm të kurorëzojmë bashkëpunimin duke krijuar idenë e përbashkët. Përveç faktorit të promovimit, me këtë do të sigurojmë mbështetjen e ndërmarrjeve në mënyrë që të garantojmë lobimin në qeveritë tona lidhur me barrierat tarifore dhe jotarifore”.
Ruzhdi Kurtishaj, kryetar i shoqatës së Transportit, tha se nuk i është kushtuar vëmendje e duhur heqjes së taksës.
“Ne kemi pritur nga takimi i qeverive për ta diskutuar çështjen e taksës. Taksa si e tillë është shumë, e cila po dëmton bizneset dhe ne kemi pritur nga qeveritë që kjo taksë të zbritet dhe t’u mundësohet bizneseve të zhvillojnë aktivitetin më lirë, mirëpo kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur”.