Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), tani anëtar i LDK-së, Berat Rukiqi ka thënë se derisa në Evropë ka stabilizim të çmimeve, Kosova po përballet me rritje të çmimeve.
“Çmimet po rriten, mirëqenia në rënie të lirë. Ndërsa në vendet e rajonit dhe gjithandej në Evropë ka stabilizim të çmimeve, në Kosovë rritja e çmimeve po vazhdon pa frena. Vetëm në tetor çmimet e konsumit u rritën me 5.1% krahasuar me vitin e kaluar, por për produktet ushqimore dhe energjinë elektrike, rritja është dyshifrore (mbi 15% në mesatare). Kjo nuk është më vetëm statistikë “inflacioni”, por varfërim i përditshëm. Çmimet po rriten, ndërsa Vetëvendosja, që ka qeverisur me krejt pushtetin, merret me propagandë, simbolika të kota pseudonacionaliste dhe tentativa për blerje votash me para publike”, ka shkruar Rukiqi.
Ai ka thënë edhe se për të parën herë këtë vit u rrezikua dhe stabiliteti financiar i vendit.
“Për herë të parë këtë vit u rrezikua edhe stabiliteti financiar i vendit: bankat përballë mungesës së likuiditetit kufizuan kreditë, duke ngrirë gati komplet aktivitetin ekonomik. Rritja e çmimeve nuk do të ndalet: faturat e larta të energjisë elektrike gjatë dimrit do të përkthehen në çmime edhe më të larta në treg, sidomos në prag të festave dhe në muajt e parë të vitit të ardhshëm. Kjo është pasojë e qeverisjes pa vizion ekonomik, pa masa për prodhim vendor, pa politika të energjisë, pa investime publike dhe pa asnjë plan për ta lehtësuar koston e jetesës për qytetarët”, shkruan Rukiqi në rrjetin social “Facebook”.