Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi ka folur për dyndjen e kosovarëve për në Shqipëri gjatë kësaj fundjave, kur në vendin tonë janë aktive masat kundër COVID-19, të vendosura nga Qeveria Kurti.
Rukiqi ka thënë se zyrtarët nga Qeveria ishin paralajmëruar se mund të ndodhte kjo dukuri, kur në rajon, e sidomos në Shqipëri ka masa më të relaksuara.
Me anë të një shkrimi në Facebook, ai vë në pah faktin se Kosova është e ndërlidhur shumë me ekonomitë e vendeve të rajonit, për shkak të kohës së shkurtër që duhet për arritur atje.
“Kemi mësuar shumë për 1 vit duke u ballafaquar me pandeminë, prandaj na duhen vendime racionale të cilat prodhojnë efekt në menaxhimin e pandemisë dhe nuk e dëmtojnë ekonominë”, ka shkruar Rukiqi.
Për ata që duan të kalojnë kufirin me Shqipërinë ose anasjelltas, aktualisht nuk ka ndonjë masë ndaluese apo kërkesë për tu pajisur me test negativ PCR.
Shqipëria javëve të fundit ka shënuar rënie të vdekjeve dhe rasteve të reja si pasojë e COVID-19 derisa në Kosovë ato janë rritur dukshëm.
Postimi i plotë i tij:
E paralajmeruar
Ne takim me zyrtaret nga Qeveria, i kemi paralajmeruar per ate se cka mund te ndodh nese ne Kosove ka mbyllje te pjesshme, ndersa ne rajon, sidomos ne Shqiperi ka masa me te relaksuara.Kosova eshte shume e nderlidhur me ekonomite e rajonit. Shkupi eshte larg vetem 1 ore nga Prishtina, Durresi/Tirana jo me shume se 3 ore. Çdo vendim qe merret, per cfaredo çeshtje, jo vetem per COVID, duhet ta kete parasysh kete nderlidhje. Kemi mesuar shume per 1 vit duke u ballafaquar me pandemine, prandaj na duhen vendime racionale te cilat prodhojne efekt ne menaxhimin e pandemise dhe nuk e demtojne ekonomine.