Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, gjatë pjesëmarrjes në hapjen e repartit të ri për përpunimin e farërave në fabrikën “Agroelita” në Klinë, bëri thirrje që të përforcohen sa më shumë produktet vendëse.
Ai po ashtu bëri apel për bashkim të qëndrueshëm mes kompanive vendëse, ngase, sipas tij, Kosova ka potencial që një pjesë të lëndës së parë të shfrytëzohet në vend me një kosto më të mirë, raporton Ekonomia Online.
“Jam sot këtu me promovu punën e mirë të kompanisë ‘Agroelita’, me i promovu përpjekjet e zotëri Selimit dhe në të njëjtën kohë me bë thirrje që të përforcohen sa më shumë produktet cilësore të kësaj kompanie dhe të kompanive të tjera cilësore”.
“Nuk jemi duke bërë apel për solidaritet. Jemi duke bërë apel për bashkëpunim të qëndrueshëm, sidomos në tregun tonë duke ditë që kemi disa kompani të qëndrueshme dhe mund të kemi potencial që një pjesë të lëndës së parë ta shfrytëzojmë këtu në tregun e vendit me një kosto më të mirë. Kjo vizitë është në vazhdën e përpjekjeve të mia që së pari një debat përmbajtësor për ekonominë ta kemi në nivelin e duhur, së dyti të shohim se ku mund t’ju ndihmojmë”.
Pronari i fabrikës “Agroelita”, Ilaz Selimi, tha se linja e re e përpunimit të farës është e avancuar dhe si e tillë i përmbush nevojat e bujqve.
“Jemi në një vend të prodhimtarisë së farave, e vetmja në Kosovë. Ne kemi bërë disa investime më herët në makineri, por kësaj radhe kemi investuar në një linjë të re të përpunimit të farës së grurit e cila linjë është e avancuar dhe tash për tash të gjitha vërejtjet që kanë pasur fermerët deri më tash, nuk do t’i kenë më sepse është një farë cilësore. Përveç që ka variatete të cilësisë së lartë, qofte të prodhimtarisë së miellit, qoftë të rendimentit, kemi arritë tash që t’i futim të dyja bashkë”.
Enver Gruda, kryetar i shoqatës së imputeve bujqësore në Odën Ekonomike, bëri thirrje që të punojnë bashkarisht në mënyrë që të ngritet niveli i bujqësisë, raporti EO.
“Shoqata jonë faktikisht ka filluar të mbarën këtë vit, për arsye se një kohë të gjatë nuk ka qenë funksionale. Vetë funksionimi i saj po shihet në këtë përurim të linjës së farave, për arsye se me mobilizimin e shoqatës po shihet se kanë fillu edhe janë ardhë në përurimin e kësaj linje që është e vetmja në Kosovë për përpunimin e farërave. Nëse të gjithë bëhemi bashkë dhe fillojmë të punojmë atëherë do ta ngritim nivelin e cilësisë së bujqësisë”.