Kryetari i Odës Ekonomike e Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka vizituar kompaninë “Viva Fresh” e cila ka dhënë kontribut në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, raporton Ekonomia Online.
Rukiqi tha se “Viva Fresh” është ndër kompanitë me kontributin më të madh në buxhetin e shtetit si dhe punëdhënësi më i madh.
“Erdhëm sot në “Viva Fresh” dhe nëse e shohim në përgjithësi është kompania më e madhe private në Kosovë, një ndër kompanitë me kontributin më të madh në buxhetin e shtetit dhe punëdhënësi më i madh në vend te sektori privat. Ne kemi ardh ta vlerësojmë punën që e ka bërë Xhevdeti, pronari me ekipin e tij dhe normalisht për ta theksuar edhe nevojën që ka ekonomia që të ketë kompani të fuqishme siç është “Viva Fresh” dhe të njëjtën kohë për ta theksuar nevojën që edhe shteti dhe institucionet tona që i kemi zgjedh t’i trajtojmë si duhet bizneset në kuptim që ta vlerësojnë kontributin që këto biznese e kanë në shtetndërtim dhe në zhvillimin e vendit dhe të njëjtën kohë të krijojnë politika që e avancojnë punën e tyre në mënyrë që të dyfishohet kontributi i tyre dhe punësimi”, tha Rukiqi për Ekonomia Online.
Pronari i “Viva Fresh”, Xhevdet Rexhepi, falënderoi Rukiqin për këtë vizitë.
Ai tha se ndihet krenar për shtetin që po i mundëson të punojë lirshëm.
“Unë jam në biznes që nga viti 1980 ku atë kohe ka qenë shumë vështirë të bërit biznes. Ka qenë shumë vështirë të bëjmë biznes atë kohë dhe në luftën e fundit në Kosovë i humbëm të gjitha, por shpëtuam ne dhe përvojën që e kemi krijuar atë kohë na dha mundësinë që të fillojmë që nga zero dhe të krijojmë këto që sot i kemi, kuptohet falë shtetësisë që e kemi sot. Është kënaqësi të bërit biznes dhe jemi krenar se ku kemi mbërri. Ishte kënaqësi që shteti jonë sot po na mundëson që me punu lirshëm. Duhet me i inkurajuar edhe bizneset e vogla me qenë të guximshëm dhe me marrë hapa që me ardh deri këtu”, tha ai për Ekonomia Online.