Skuadra e Rumanisë është në tensione para ndeshjes vendimtare me Kombëtaren shqiptare
Polemika te Rumania, në prag të ndeshjes së fundit në grup kundër Shqipërisë. Në qendër të akuzave është trajneri Anghel Iordanescu, për mënyrën si ka menaxhuar grupin e lojtarëve dhe për rezultatet e regjistruara në Euro 2016.
Ionel Ganea, ish-sulmuesi që në 36 ndeshje ka realizuar 19 gola me përfaqësuesen rumune, akuzoi drejtuesin e stolit për paaftësi dhe një koncept futbolli të prapambetur, përcjell SuperSport.
“I dëgjova deklaratat e trajnerit, sipas të cilit futbollistët nuk janë të përgatitur për të luajtur në çdo tre ditë. Në këndvështrimin tim është diçka e pakonceptueshme. Nuk ka dyshime që në këtë pikë faji është vetëm i Iordanescut. Ai nuk ka qenë në futbollin aktiv për 10 vjet, nuk është i përditësuar me atë që ndodh në futbollin modern dhe pasojat po i paguan Kombëtarja rumune. Emërimi i Iordanescut në stol ishte gabimi më i madh i federatës”, ka deklaruar ai
Sipas Ionel Ganea, me një trajner tjetër në stol Rumania do të kishte grumbulluar më tepër se një pikë në dy ndeshje, ndërsa kritika kishte edhe për lojtarët, që mund të kishin bërë më tepër, për të mos e luajtur nën presion, ndeshjen e fundit në grup me Shqipërinë.
“Me Francën luajtëm mirë, por humbëm. Ndaj Zvicrës skuadra luajti shumë në mbrojtje dhe pësoi një gol të ngjashëm si ndaj Francës. Në këtë mënyrë, Rumania humbi pikë të rëndësishme. Përveç trajnerit që ka mendësi të vjetër, prisja më shumë nga lojtarët kryesor të ekipit, por të gjithë kërkojnë alibi të justifikojnë ecurinë e dobët”, ka shtuar ai.