Tre personat e arrestuar më 20 gusht 2022 pranë Uzinës Mekanike Ushtarake Çekin të Gramshit dyshohet se kanë hyrë në Shqipëri me detyra të caktuara nga shërbimet e inteligjencës ruse.
Kështu theksohet në dosjen e dorëzuar nga prokuroria e Elbasanit në gjykatën e këtij qyteti ku sot (24 gusht 2022) do të kërkohet masa e sigurisë arrest me burg për tre personat.
Bëhet fjalë për 24 vjeçarin Mikhail Zorin, 25-vjeçarin ukrainas e identifikuar si shtetasi Fedir Aplatov dhe shtetasja ruse Svetlana Timofoeva 33 vjeçe.
Prokuroria e Elbasanit akuzon dhe për dhënie të informave sekrete dhe sigurimi i informatave bazuar në dëshmitë që ata kanë dhënë në prokurori por që për arsye secrete prokuroria nuk do ia vërë në dispozicion gjykatës.
“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se kanë ardhur në Shqipëri me mision të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të pëcaktuara” thuhet në kërkesën e prokurorisë për vlerësimin e masës së sigurisë.
Ndërkohë mësohet se Mikhail Zorin studenti i Kimisë, lindur në Moskë por që banonte në Pragë – Çeki, me shtetësi dhe kombësi ruse ka qëndruar në uzinë për gati 25 minuta para se të pikasej nga rojet të neutralizohej dhe të arrestohej.
Ora 17:00 hyrja në Uzinë
Nga dëshmia e një banoreje, shtëpia e të cilës ndodhet mu ngjitur me murin e Uzinës së Gramshit kuptohet se Mikhail Zorin ka qëndruar për gati 25 minuta brenda Uzinës deri në momentin kur është arritur të identifikohet dhe të neutralizohet nga dy rojet ushtarake.
‘Ka qenë ora 17:00 kur në afërsi të mureve të Uzinës ka parë një person me kapele, pantallona të shkurtra dhe një çantë në krah, duke u ngjitur në drejtim të vreshtave të saj të cilat janë ngjitur me murin rrethues të Uzinës” dëshmon banorja.
Ora 17:25 zhurma që alarmoi ushtarin
Çfarë dëshmoi ushtari Ardian Xhaka
“Rreth orës 17:25 minuta në afërsi të objektit ushtarak nr 8 dëgjova një zhurmë dhe pashë një person që afrohej tek dera e hyrjes kryesore. Ai kishte tentuar ta hapte dhe të futej brenda objektit”
Ardiani i ka bërë thirrje të ndalojë po ai është larguar me vrap duke kaluar rrethimin e murit të Uzinës. Roja e objektit është vënë në ndjekje dhe ka njoftuar përgjegjësin e rojeve Aldo Bici.
Të dy së bashku në një distancë 200 metra nga muri rrethues kanë bërë të mundur kapjen dhe neutralizimin e këtij shtetasi. Në momentin që janë afruar ai ka kundërshtuar dhe I ka sulmuar me spraj kimik, të cilin e ka nxjerrë nga xhepi dhe ua ka hedhur në fytyrë e trup.
Sulmi me spraj
Përgjegjësi i rojeve, Aldo Bici thotë se nga sulmi me spraj ka ndjerë djegie të syve dhe trupit dhe marrje mendsh, djegie të gjoksit dhe supeve por paravësisht kësaj ka mbajtur personin të izoluar deri në momentin e ardhjes së policisë
Rreth orës 17:35 minuta rojet ushtarake të Uzinës Mekanike ushtarake Çekin kanë njoftuar sallën operative se është futur një shtetas i huaj i cili pasi është konstatuar nga roja i shërbimit është larguar nga magazinat duke kaluar nga muri rrethues i Uzinës. I huaji është arritur të ndalohet në distancë rreth 200 metra larg objektit.
Megjithë këto veprimet rojet e kanë neutralizuar dhe kanë pritur policinë e Gramshit të bëjë shoqërimin në ambientet e këtij komisariati.
Zbulohen shokët
Më pas u mësua se ai ishte në shoqërinë e Fedir Alpatov, Svetlana Timofeeva me “Chevrolet” makinën sportive.
Filmimet e fshehta
Organi i akuzës thekson se të arrestuarit “janë konstatuar duke kryer filmime të fshehta brenda uzinës së gramshit me pajosje special elektronike. Nga kqyrja e këtyre pajisjeve prokuroria thekson se kanë rezultuar të dhëna me rëndësi për hetimin përfshirë fotografi të objekteve të ndryshme ushtarake dhe objekteve të infrastrukturës kritike civile në gjendjen aktuale”
Çfarë iu sekuestrua
Atyre u janë sekuestruar Chevrolet, dronë, sasi e konsiderueshme parash, 1 pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën, laptop, karta sim, harddisk I jashtë, 1 fishe, 1 predhë fisheku, dokumente identifikimi, pajisje kampingu, bombul spraj përdorur në formën e spraj neuroparalizues dhe telefona celularë.
Jo vetëm tek Uzina e Gramshit, Në telefonat e 2 rusëve dhe ukrainasit materiale nga baza të tjera ushtarake, ku bazohen dyshimet për spiunazh
Ndaj tre shtetasve të huaj, janë ngritur akuzat “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.