Shpjegoni rëndësinë e Traktatit të Poljanovkës të vitit 1634. Çfarë ndodhi në Narva në vitin 1704? Kush nënshkroi një traktat paqeje në Moskë në vitin 1920, dhe pse ka rëndësi kjo tani?Këto nuk janë pyetje për një provim në lëndën e historisë. Ato kanë lidhje direkte me çështjet e sigurisë kombëtare, dhe ndikojnë mbi paqen dhe luftën në Evropë.
Ato tregojnë se mendësia imperialiste e Kremlinit shtrihet shumë përtej Ukrainës. Rusia është e vendosur ta rindërtojë sferën e saj të ndikimit, bazuar në një mandat historik gjysmë mistik. Të gjithë vendet fqinje me Rusinë, duhet të shqetësohen për këtë, dhe po kështu edhe aleatët e tyre.
Duke folur para disa studentëve në Moskë më 9 qershor, me rastin e 350- vjetorit të lindjes së Pjetrit të Madh, Vladimir Putin tha duke buzëqeshur se “fati” i tij ishte “rikthimi” dhe “fortifikimi” i territoreve të pushtuara nga perandori i parë rus. Ai përmendi në mënyrë specifike qytetin e Narvës, që sot është pjesë e Estonisë, të cilin Pjetri I ua mori suedezëve në vitin 1704.
Kjo deklaratë shkaktoi një protestë të menjëhershme diplomatike nga qeveria estoneze. Por shqetësuese janë edhe lajme të tjera:një mocion i dorëzuar në Dumën (parlamentin) rus,kërkon anulimin e njohjen e pavarësisë së Lituanisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.
Kjo do të sjellë një kërcënim të qartë për statusin ligjor dhe kufijtë shtetërorë të Lituanisë. (Në fakt pavarësia e Lituanisë u njoh nga Rusia sovjetike, që me Traktatin e Moskës të vitit 1920). Përmendja e pretendimeve të lashta historike, është një lojë që nuk njeh kufij.
Një deputet lituanez reagoi ndaj deklaratës së Putinit, duke përmendur (jo me aq saktësi) Traktatin e Poljanovkas të vitit 1634, dhe duke pretenduar se qyteti rus i Smolenskut ishte në fakt lituanez. Autoritetet letoneze, vendosën muajin e kaluar të prishin një memorial kushtuar “çlirimtarëve” sovjetikë, që ndodhet në një park publik në kryeqytetin Riga.
Me një obelisk 79 metra të lartë dhe me skulptura të mëdha bronzi, ai nuk është aspak një pikë referimi ndaj historisë. Pasi u ngrit vetëm në vitin 1985. Por heqja e tij është një aktpotencialisht përçarës, dhe zgjon kujtimet e “Ushtarit të bronztë”, një memorial lufte i epokës sovjetike në kryeqytetin estonez Talin.
Duke përmendur problemet me rendin publik, autoritetet estoneze e zhvendosën atë në vitin 2007, gjë që shkaktoi një krizë të sigurisë kombëtare:trazira, një bllokadë të ambasadës në Moskë, dhe një sulm të madh kibernetik.
Sapo jam rikthyer nga kryeqyteti i Letonisë, Riga. Letonezët janë për momentin shpërfillës mbi rreziqet e prishjes së monumenteve sovjetike. Kremlini nuk ka mundësi për momentin qëta shfrytëzojë këtë çështje, më tha një zyrtar. Dhe rusët vendas nuk duan që të shihen si përfaqësues të Kremlinit.
Gjithsesi autoritetet po mbajnë nën vëzhgim çdo lloj keqbërës të mundshëm. Por edhe mbrojtja me fanatizëm nuk shihet më sy të mirë:zgjedhjet po afrohen, dhe fshirja e simboleve fizike të pushtimit sovjetik, është një mënyrë e dukshme për të shprehur neverinë ndaj luftës së Putinit në Ukrainë, në një kohë që vendi baltik është përballur me përkeqësim tëstandardeve të jetesës, për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit dhe ushqimeve.
Ne kemi mësuar, në shumë raste me vonesë dhe me dhimbje, t’i shohim financat, ekonominë, sigurinë energjetike, sistemin ligjor, kohezionin social, mjedisin mediatik dhe pjesë të tjera të shoqërisë moderne, nëpërmjet një lente të sigurisë kombëtare.
Në vend se të bëjmë zgjedhje të bazuara tek kostot dhe komoditeti, duhet mendojmë tani për qëndrueshmërinë dhe rrezikun. Dhe kjo qasje e re duhet të përfshijë edhe historinë. Në territoret historike të Evropës Perëndimore, shumë njerëz priren të mendojnë se datat e vjetra historike dhe betejat e kohëve të shkuara, nuk janë më punë e tyre.
Por nëse kundërshtarët tanë po e përdorin historinë për të justifikuar pretendimet territoriale dhe luftën, atëherë kjo është edhe çështja jonë. Ne kemi nevojë për një disiplinë të re të historisë së sigurisë kombëtare. Duhet ta kuptojmë të kaluarën më mirë se kundërshtarët tanë.
Të dish se kush i bëri diçka dikujt tjetër, kur dhe pse ndodhi kjo, do t’i ndihmojë vendimmarrësit tanë të kuptojnë rëndësinë e interpretimeve tendencioze dhe përzgjedhëse të së shkuarës. Po ashtu, do t’i ndihmojë votuesit për këto çështje, dhe do të gjejë kundërmasat e duhura. Sa më shumë të dimë mbi atë që ka ndodhur në shekujt e kaluar, aq më të mëdha janë shanset tona për ta marrë masat e duhura.
Nga Edward Lucas – “Center for European Policy Analysis”