Policia në Moskë i ka arrestuar dy ndihmës të njohur të politikanit opozitar, Aleksei Navalny, lidhur me akuza për nxitje të njerëzve që të marrin pjesë në një demonstratë ilegale.
Kira Yarmysh, zëdhënëse e Navalnyt, dhe Ruslan Shaveddinov, i cili është moderator në kanalin e Navalnyt në YouTube, janë arrestur dje në aeroportin Sheremetyevo në Moskë.
Pritet që ata gjatë ditës së sotme do të paraqiten në gjykatë.
Vetë Navalny ishte arrestuar derisa shkonte për të marrë pjesë në një protestë në Moskë, para tri ditësh, por më vonë ishte liruar deri në dëgjimin në gjykatë.
Së paku 350 protestues ishin arrestuar nga autoritetet ruse në gjithë vendin.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert, para dy ditësh i ka kritikuar arrestimet, duke iu drejtuar presidentit rus, Vadimir Putin, se “liderët politikë të sigurt në vetvete nuk u frikësohen zërave konkurrues”.