Rusia: Albrighti ishte ideatore e bombardimit të Beogradit, s’pati asnjë sanksion ndaj saj

Prishtinë | 24 Mar 2022 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

Edhe në ditën e vdekjes së Madeleine Albrightit, Rusia ka vazhduar të hedhë akuza ndaj ish-Sekretares amerikane.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka thënë se ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ishte ideatore e bombardimeve ndaj Beogradit për shkak të Kosovës. Në ditën kur Albright vdiq, Zakharova ka shfrytëzuar Telegramin për t’u ankuar “pse ndaj saj s’pati sanksione”.

“Madeleine Albright, Sekretarja amerikane e Shtetit, është ideatore e bombardimit të Beogradit. Ajo vdiq një ditë para 23-vjetorit të arritjeve të saj në Ballkan”, ka shkruar Zakharova.

“Me çka ishte sanksionuar Maeleine Albright? Asgjë. Një monument për vrasjen e serbëve është ngritur në Kosovë. Në ceremoninë hapëse ishte edhe ‘presidenti’ i Kosovës, Hashim Thaçi, komandant i të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që kishte tregtuar organe të serbëve të vrarë prej amerikanëve”, ka thënë Zakharova.

Albright ishte Sekretare e Shtetit në periudhën 1997-2001, në kohën e presidentit Bill Clinton.

Të ngjashme